AlbanianSport.com 07.04.2016 12:20
ASNN – Kombëtarja shqiptare humbet shumë pozicione në renditjen e FIFA-s për këtë muaj. Ansambli kuqezi tashmë e sheh veten në vendin e 45-të të kësaj renditjeje, me 632 pikë, 10 shkallë më poshtë në krahasim me renditjen që kishte muajin e mëparshëm.
Kombëtarja kuqezi fitoi me Luksemburgun 2-0 në miqësore, por kishte humbur më parë me Austrinë 2-1, ndeshje kjo që pati ndikim në humbjen e pikëve dhe si pasojë edhe të pozicioneve.
Renditja e FIFA-s pësoi ndryshime edhe në vendet e para të saj. Tanimë është Argjentina ajo që ka dalë në krye me 1532 pikë, duke zbritur në vendin e dytë Belgjikën, ndërkohë që në vendin e tretë është ngjitur Kili.
Kanë pësuar rënie në renditjen e FIFA-s edhe Gjermania e Spanja. Skuadra kampione në fuqi e botës e sheh veten në vendin e 5-të, pas Kolumbisë, ndërsa kampionët në fuqi të Evropës janë të gjashtët.
Zbresin në renditje Anglia e Italia, që gjenden përkatësisht në vendin e 10-të dhe atë të 15-të, ndërsa Franca është ngjitur në vendin e 21-të.