AlbanianSport.com 08/01/2020 19:20
ASNN – Dy herë kampioni i mëparshëm, spanjolli Karlos Sainz, me “Mini”-n e tij, arriti të krijojë epërsinë, në renditjen e përgjithshme pas etapës së 3-të të Rellit të Dakarit 2019. Kjo është fitorja e 33-të për të në karrierë dhe e para në Arabinë Saudite, me kohën 3 orë 48 minuta, e 1 sekondë, duke triumfuar në etapën prej 404 km, të Neumit, në veri të mbretërisë, afër kufirit me Jordaninë.
Duke garuar midis kanionesh dhe maleve në terrene me rërë, në një lartësi prej 1,400 metra, 57-vjeçari Sainz la pas kampionin e në fuqi, pilotin nga Katari, Naser Al-Atijah, dhe “Toyota”-n e tij, me një diferencë prej 3 minutash e 31 sekondash. Shoku i skuadrës së Atijas dhe ish-kampioni i botës në Formula 1, Fernando Alonso, e mbylli në vendin e 5-të.
Argjentinasi Orlando Terranova dhe fituesi i etapës së parë, Giniel de Viliers i Afrikës së Jugut mbërritën në finish pas Sainzit dhe Al-Atijas. Terranova jo vetëm që humbi epërsinë në renditjen e përgjithshme, por përfundoi 12 minuta e 52 sekonda pas fituesit të etapës, ndërsa De Viliers ishte 16 minuta e 21 sekonda larg ritmit të kryesuesve me “Toyota”-n e tij.
Në kategorinë e motorëve, amerikani i “Honda”-s, Riki Brabek e dominoi etapën e 3-të, duke krijuar edhe epërsi në renditjen e përgjithshme. Brabeku e përfundoi garën gati 10 minuta përpara shokut të tij të skuadrës, Florimo. Ndërsa në vendin e tretë ishte një tjetër pilot i “Honda”-s, Bort. Kampioni në fuqi, Tobi Prajs nga Australia, mbërriti në finish me KTM-në e tij 35 minuta pas fituesit.