Gjergj Vyshka 27.01.2016 12:55
Një ish-lojtar i regbisë italiane, i cili ka tre muaj që e ka lënë këtë sport, por dhe një trajner i këtij sporti për femra, dje kanë qenë në Shqipëri. Ideja e tyre është përhapja e këtij sporti në vendin tonë, sepse në Itali prej disa vitesh ekziston një grup shqiptarësh që e luajnë regbinë si me 7, ashtu dhe me 15 lojtarë.
Grup që drejtohet nga Gaspër Daupi, i cili që më 2013-ën ka kërkuar krijimin e Federatës Shqiptare të Regbisë dhe shtrirjen e këtij sporti në vendin tonë. Pa thënë që e kanë përfaqësuar vendin tonë në disa aktivitete që janë zhvilluar në Modena, apo Milano.
Madje dhe në Shqipëri ka nisur krijimi i ekipeve të para të këtij sporti. E për rrjedhojë për bashkimin e tyre dhe për hapjen e shtrirjen e këtij sporti në vendin tonë dy përfaqësues nga Italia dje kanë qenë në Tiranë. Ata kanë pasur një takim me sekretarin e përgjithshëm të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Stavri Bello.
Ky i fundit, edhe më 2-3 gusht 2013, kur veprimtaria promovuese u bë në stadiumin “Selman Stërmasi” u bë iniciator i mbështetjes së këtij sporti dhe përhapjes së tij. “Të dy kanë ardhur me ide të qarta për zhvillimin e regbisë në vendin tonë dhe shpresojmë që të jetë diçka e mirë edhe për zhvillimin e kësaj disipline në vendin tonë”, – ka thënë Bello.