AlbanianSport.com 06.10.2014 22:15
ASNN – Dy humbjet radhazi në Gjirokastër, 0-2 me Dinamon dhe 0-1 me Sopotin, kanë treguar se futbollistët aktual të Luftëtarit janë të pafuqishëm për të marrë pikë në fushën e vet. Qoftë dhe një barazim minimal. Kjo tregon se të besuarit e Devollit objektivin e vënë për t’u ngjitur në Superiore e realizojnë vetëm nëpër faqe gazetash e jo në fushën e lojës.
Sepse me dy humbje radhazi kanë treguar që e kanë të pamundur për të përmbushur këtë objektiv e në këto kushte kanë hyrë në një krizë të thellë rezultatesh. Është koha që drejtuesit t’i vënë këto lojtarë me “shpatulla pas murit”, sepse asnjëri nuk është duke e justifikuar fanellën e Luftëtarit. Kampionati sa vjen e vështirësohet dhe duhet që skuadra të kthehet menjëherë në identitet, si dhe djersa e derdhur në fushë të shpërblehet sa më shpejt.
Duhet justifikuar gjithçka me rezultate e jo me fjalë, sepse sportdashësit e zhgënjyer shumë shpejt do ta braktisin këtë skuadër. Fakti është që Luftëtari ka bërë paraqitje që lënë shumë për të dëshiruar, ndërsa bëhet fjalë për një ekip me tradita në trevën e Jugut. Është një skuadër e cila e ka nisur shpejt stërvitjen e jo vetëm kaq, por ka bërë 9 afrime në tregun e lëvizjeve të lojtarëve, ndërsa janë futbollistë që kanë luajtur dhe në Kategorinë Superiore me ekipe si Vllaznia, Dinamo, Skënderbeu e Teuta.
E me këto lojtarë askush nuk e diskutonte ngjitjen e Luftëtarit në Superiore, në një kohë që në futboll duhet dhe pak fat. Por po nuk e kërkove dhe duke punuar fort dhe në stërvitje, atëherë shumë shpejt Luftëtari do të jetë jashtë objektivave. Ndaj Luftëtari duhet të kthehet shumë shpejt tek marrja e pikëve.