Nga Gjergj Vyshka 30.11.2016 09:45
Në finalen e femrave Flamurtari-Goga Basket është shkëputur 4 herë energjia në Pallatin e Sportit “Ramazan Njala” në Durrës.. Aq sa është dashur kohë jo vetëm për të ngrohur ekipet, por dhe për të ngrohur kamerat e Televizionit Shqiptar, që kishte marrë përsipër transmetimin e këtyre finaleve në TVSH 2 dhe RTSH Sport. E për të mbajtur gjithçka gati, të paktën edhe sipas drejtorit të Departamentit të sportit në RTSH, Pano Xhixho, janë përdorur deri gjeneratorët.
Shtyrja e finales së femrave për shkak të ikjes së dritave dhe më pas edhe finalja e meshkujve e ka zgjatur transmetimin deri në orën 21:00. “Kush është organizatori i Kupës së Shqipërisë duhet të marrë masat organizative, – ka theksuar Xhixho për “Sport Ekspres”. – Ne paguajmë kohë satelitore për këto ndeshje. Janë 20 njerëz që punojnë aty dhe autobusët e TVSH-së kanë punuar me gjenerator. Që do të thotë jo vetëm harxhim kohe satelitore, por dhe naftë.”
“Ndaj duhet të sakrifikojnë të gjithë për krijimin e kushteve të domosdoshme për këto ndeshje. Gjithnjë nëse duan transmetim”, – ka përfunduar Xhixho. Ndërkohë që jo pak, për shkak të shkëputjes së energjisë elektrike, e ka cilësuar finalen e femrave si një “Maratonë të Këngës Popullore”. Sigurisht që Pallatet e Sportit në Shqipëri nuk ofrojnë kushte ideale, por të ankohen ende për fikje të dritave kjo nuk është normale. Aq më tepër që të gjithë e dinin se po vinte i ftohti arktik në Shqipëri.
Ndaj Durrësi si mikpritës, por dhe FSHB-ja duhet të kishte krijuar të tjera kushte, sepse kështu u dëmtua transmetimi i Kupës së Shqipërisë në basketboll.