AlbanianSport.com 16/05/2020 21:10
ASNN – Duke dëshmuar se mbetet një lokomotivë e kontinentit, edhe në Evropë, Bundesliga është rikthyer në fushën e blertë, edhe pse me një sërë risish sa i përket protokollit të rreptë shëndetësor të adoptuar për shkak të epidemisë së virusit korona. Përtej procedurës së daljes në fushë, mungesës së shtrëngimit të duarve, stadiumeve të boshatisura dhe festimeve të heshtura të golave, një tjetër aspekt interesant ishin edhe intervistat pas ndeshjes.
Rasti më i mirë ka qenë ai i trajnerit të Lajpcigut, sikundër dëshmohet edhe nga fotoja e këtij shkrimi, ku Julian Nagelsmani, shihet i vetmuar, duke respektuar largësinë e kërkuar nga gazetarët, kameramanët dhe punonjësit e tjerë të mediave. Trajneri Nagelsman, është vetëm 32 vjeç, por konsiderohet si një ndër më të mirët në qarkullim. Pasi drejtoi me sukses ekipin e Hofenhaimit, gjermani është tanimë në krye të Lajpcigut, skuadrës që po spikat në të gjitha frontet.
Edhe me ekipin aktual, po bën një punë të mirë, por në sfidën e sotme në shtëpi kundër Fraiburgut, nuk arriti të marrë më shumë se një barazim 1-1. Pas ndeshjes, Nagelsmani tha që i pëlqeu mënyra si luajti skuadra, por jo rezultati. “Jam i lumtur me ritmin dhe intensitetin e ndeshjes, por jo me rezultatin, – deklaroi ai. – E vendosëm kundërshtarin në shumë vështirësi dhe në presion gjatë pjesës së dytë, krijuam dhe disa raste të mira për të shënuar,”, tha mes të tjerash Nagelsman.