AlbanianSport.com 20.12.2014 09:35
ASNN – Kampionati Botëror i Klubeve luan sonte ndeshjen finale dhe kampionia e Evropës, Reali i Madridit, do të përballet me kampionen e Amerikës Latine, argjentinasit e San Lorencos. Madrilenët vijnë pas një vazhde historike prej 21 fitoresh radhazi në të gjitha veprimtaritë dhe janë favoritë përballë fitueses së Kupës “Libertadores”, në duelin që luhet në Marok, duke nisur nga ora 20:30.
Kampionia në fuqi e Evropës, Reali i Madridit, synon ta mbyllë vitin 2014 me një tjetër trofe, kur të zbresë sonte në fushën e blertë të Stadiumit “Lë Grond Stadë dë Marrakesh” në Marok, për t’u përballur me San Lorencon, fituesen e Kupës “Libertadores”. Kjo veprimtari e Amerikës Latine është e barazvlefshme me Ligën e Kampioneve të Evropës, por argjentinasit e San Lorencos vuajtën në gjysmëfinale, duke fituar me vështirësi, 2-1 ndaj kampiones së Oqeanisë, Oklend Sitit.
Nga ana tjetër, Reali i Madridit ishte bindës në gjysmëfinalen tjetër, duke fituar 4-0 ndaj Kruz Azulit dhe trajneri italian i gjigandes spanjolle, Karlo Ançeloti, ka shprehur besimin e patundur te lojtarët e tij, duke lënë mënjanë edhe polemikën për ndërrimin e gjyqtarit të finales. FIFA ka ndryshuar vendim në momentet e fundit, duke zëvendësuar portugezin Pedro Proença me guatemalasin Valter Lopez, por Ançeloti theksoi se gjyqtari i ndeshjes nuk do ta vendosë finalen dhe se atë do ta vendosin futbollistët.
“Lojtarët e mi janë të qetë dhe të çlodhur për këtë finale, – ka deklaruar trajneri i Realit të Madridit, duke vijuar: “Skuadra është e motivuar për ta mbyllur vitin me një triumf dhe e ka të qartë se çfarë nevojitet për një finale. Përsa i përket gjyqtarin, unë besoj te përzgjedhja e FIFA-s dhe nuk besoj se ai do të bëjë diferencën.”