AlbanianSport.com 05/01/2022 23:55
ASNN – Kupa e Spanjës, drejtpërdrejt në RTSH, Barcelona dhe Reali i Madridit bëjnë detyrën, nesër në RTSH Sport një tjetër takim. Kështu, Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar vazhdon t’u sjellë sportdashësve evenimentet madhore ndërkombëtare dhe të mërkurën kanë ardhur dy prej ndeshjeve të turit të parë të Kupës së Spanjës. Reali i Madridit dhe Barcelona kanë bërë detyrën përballë kundërshtarëve modestë, ndërsa nesër në mbrëmje, po në RTSH Sport vjen përballja e Atletikos së Madridit me një tjetër skuadër modeste.
Edhe pse kanë patur kundërshtarë modestë përballë në turin e 32-shes të Kupës së Spanjës, që njihet ndryshe si Kupa e Mbretit, kanë vuajtur për t’u kualifikuar për më tej. Madje kanë fituar me përmbysje, ndërsa ndeshjet e ardhura drejtpërsëdrejti në rrjetin e Radio Televizionit Shqiptar kanë qenë më shumë se sa emocionuese. Barcelona ka patur përballë Linares, të cilën e ka mundur me shumë vështirësi, pasi deri në të 63-ën minutë ka qenë në disavantazh. Vendësit kanë shënuar të parët në minutën e 18-të, me anë të Hugo Diaz.
Në pjesën e dytë duhet Dembele nga stoli, që Barcelona të gjejë barazimin dhe njëkohësisht qetësinë. E pas gjashtë minutash Jutgla do të vulosë fitoren e skuadrës katalane. Madje kjo ndeshje ka qenë edhe premiera e Davi Alvesh tek Barcelona. Ndërkohë, edhe Real Madrid ka vuajtur përballë Alkojanos, skuadër e cila sezonin e kaluar e pati eliminuar nga Kupa. Militao i ka dhënë epërsinë në të 39-të minutën për skuadrën e trajnerit Karlo Ançelotit, por rikthehen hijet e përmbysjes së mundshme pas barazimit të Dani Vegës në minutën e 66-të.
Por Asensio në të 77-ën dhe Isko dy minuta më pas, të dy të ndihmuar nga lojtarët vendas, vulosin kualifikimin e Realit për më tej në Kupën e Spanjës, ndërsa të enjten, po duke nisur nga ora 21:25, në RTSH Sport do të vijë takimi Rajo Majadahonda -Atletiko Madrid.