AlbanianSport.com 06/08/2021 21:10
ASNN – Pas largimit nga Barcelona, mbeter në eter e ardhmja e argjentinasit. Të enjten në mbrëmje, Lionel Mesi dhe Barcelona kanë zyrtarizuar “divorcin”, teksa ylli argjentinas dhe klubi katalan kanë mbyllur një bashkëpunim 21-vjeçar. Dhe, që nga ai moment, mullinjtë mediatikë kanë punuar me shpejtësi skëterrë për të bluar të gjitha hipotezat se cili është destinacioni i mundshëm i argjentinasit. Ka prishur qetësinë e një mbrëmjeje vere, duke eklipsuar madje edhe ethet e Olimpiadës së Tokios.
Lajmi se Lionel Mesi do të largohej pas mëse dy dhjetëvjeçarësh nga Barcelona, erdhi si një rrufe në qiell të hapur, dhe, që nga ai moment, mullinjtë mediatikë kanë punuar me shpejtësi skëterrë për të bluar të gjitha hipotezat se cili është destinacioni i mundshëm i argjentinasit. Do të ribashkohet ai me Pep Guardiolën tek Mançester Siti apo do të zhvendoset, i shtyrë nga sponsori i tij, “adidas”-i, në krahun tjetër të të njëjtit qytet anglez, për të veshur fanellën e kuqe të Mançester Junajtid? Apo do të joshet nga milionat e Roman Abramoviçit për t’i dhënë një tjetër dimension kampiones në fuqi të Evropës, Çellsit?
E sa u përket milionave, ato ofron me shumicë edhe në kryeqytetin e Francës, aty ku Paris SG-ja ka nisur tanimë veprimet konkrete për ta bërë të vetin yllin argjentinas. Apo mos ndoshta do të kemi ndonjë të papritur siç ndodhi në rastin e kalimit të Kristiano Ronaldos nga Reali i Madridit tek Juventusi dhe Mesi do të zgjedhë Italinë? Të gjitha hipotezat sportive janë të hapura, ashtu sikundër mbeten të hapura të gjitha hipotezat financiare, me shifra që sfidojnë imagjinatën njerëzore.
Raportimet më të fundit e çojnë argjentinasin gjithnjë e më pranë PSG-së, teksa klubi francez është hedhur në sulm për të mposhtur konkurrencën e Mançester Sitit dhe për të transferuar në kryeqytetin francez atë që cilësohet si futbollisti më i mirë në planet. Parizienët luajnë me kartën e Nejmarit, por edhe të trajnerit argjentinas, Mauricio Poçetino, ndërsa anglezët me kartën e trajnerit Guardiola. Megjithatë, asgjë nuk përjashtohet për momentin dhe prandaj pyetja në buzët e të gjithëve është: “Quo Vadis, Lionel Mesi”…