AlbanianSport.com 08/08/2021 20:55
ASNN – Historia prekëse e 14-vjeçares kineze, që triumfoi në kërcimin nga trampolina. Fshati i kampiones olimpike të sapokurorëzuar në kërcimin nga trampolina, Quan Hongçan, është mbyllur për të huajt, përfshi edhe kushërinjtë e saj, pas triumfit historik në “Tokio 2020”. Kjo masë erdhi si rrjedhojë e grupeve të mëdha të njerëzve që janë grumbulluar në atë zonë, duke shkaktuar trafik të ngarkuar dhe duke shkelur rregullat për mbrojtjen nga “Covid-19”. Mediat raportojnë se njerëzit kanë kërkuar të marrin edhe fruta nga kopështi i familjes së saj, për ta mbajtur atë si suvenir.
Ndërsa persona të ndryshëm kanë vendosur kamera majë pemëve që rrethojnë shtëpinë për të siguruar transmetim të pandërprerë në rrjetet sociale, ndërsa kjo ka ndodhur edhe në mesnatë apo edhe pse binte shi. Ushqime, pajisje elektronike dhe shërbime mjekësore kanë nisur të mbërrijnë me shumicë në shtëpinë e sportistes së mitur, e cila preku botën me historinë e saj, teksa pati deklaruar se kërkonte të fitonte medaljen e artë në këto Lojëra Olimpike për të ndihmuar familjen e saj të varfër dhe për të fituar para për shërimin e nënës së saj të sëmurë.
Duke qenë sportistja më e re e delegacionit kinez në Tokio, 14-vjeçarja spikati me paraqitjen e saj të enjten e shkuar, duke bërç edhe 3 kërcime të përsosura, të vlerësuar me notën 10, dhe duke e fituar trampolinën 10-metërshe me një rezultat rekord prej 466.20 pikësh. Pas fitores, Quan theksoi se ajo dëshironte “të fitonte shumë para” për ta shëruar të ëmën nga sëmundja, dhe të vizitonte një park lojërash, sepse nuk kishte qenë kurrë në një të tillë. Një spital në vendlindjen e saj, Zhanxhiang, në provincën jugore të Kinës, Guangdong, bëri të ditur të premten se do të ofronte të gjitha shërbimet mjekësore për nënën e sëmurë të sportistes, por edhe për gjyshin e saj.
Drejtuesit e spitalit deklaruar se ishin krenarë me kampionen olimpike dhe dëshironin ta ndihmonin sa më tepër familjen e saj. 3 biznese në Zhanxhiang kanë ofruar t’i sigurojnë asaj një shtëpi, një dyqan të vogël dhe një shpërblim. Edhe një numër parqesh të lojërave dhe zbavitjeve kanë ofruar një biletë të përjetshme sportisten, ndërsa një biznesmen vendas i ofroi një shpërblim prej 200,000 juanësh (afro 31,000 dollarë amerikanë), por që nuk u pranuar nga familja e Quan Hongçanit.