Gjergj Vyshka 09.01.2016 11:10
Qitja shqiptare rrit nivelin e saj të garave kombëtare, ndërsa matja e pikëve do të bëhet me elektronikë. Ky është fryti i bashkëpunimit mes Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe Federatës Shqiptare të Qitjes, ndërsa sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Koço Mikerezi, i është dhuruar një aparaturë elektronike për pikëzimin. E jo vetëm kaq, por dhe 10 aparatura, të cilat bëjnë gati menjëherë fletët e shenjave që lënë fishekët e gjuajtur nga qitësi.
“Në të tilla kushte, – thotë Mikerezi, – nuk do të kemi më ngatërresa të tipit që ishte 9, apo 8. Sepse fletët nuk shkon më gjyqtari t’i marrë tek qitësi, por menjëherë bëhen gati dhe më pas me elektronikë bëhet pikëzimi. Kursen njerëzit, sepse na duheshin 2-3 veta për të nxjerrë pikët nga këto fletë dhe për të llogaritur më pas, por në të njëjtën dhe kohën e aktivitetit. Sigurisht që do të ketë një njeri të vetëm që do ta përdorë këtë aparaturë, që është kryegjyqtari Besnik Gjevori, i cili është fizikant.”
“Ne nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta falënderojmë KOKSH për këtë ndihmë, ndërsa kështu do të kemi një tjetër nivel të aktiviteteve tona në qitje, – ka vijuar nr. 2 i organizmit që qeveris qitjen shqiptare. – Aparatura do të vihet në shfrytëzim që në veprimtarinë e parë kombëtare”. Dhe kjo është një ndihmë e dytë për qitjen shqiptare, pas asaj bazë materiale që pat ardhur nga Federata Botërore në armatime më 2014-ën.