AlbanianSport.com 13/04/2019 22:05
ASNN – Qitja, sportit që po i shuhet lavdia në Shqipëri. Federata Evropiane e Qitjes ka zbardhur renditjen e sportistëve të saj në të gjitha disiplinat për muajin prill, ku bie në sy që Shqipëria, me aq nam në këtë sport 30 e kusur vite më parë, është telendisur keq sa nuk gjen asnjë qitës apo qitëse kuqezi në 10-she, 20-she apo 30-shen e parë. Në renditjen e Federatës Evropiane janë emrat e dy sportistëve shqiptarë, një femre dhe një mashkulli.
Qitësja Manuela Delilaj del në dy disiplina e radhitur, në 10 metër pistoletë me ajër, e cila mban vendin e 110-të në Evropë nga 300 sportiste të zgjedhura në renditje. E njëjta qitëse mban pozicionin e 71-të në listën me mbi 200 sportiste të zgjedhura për renditjen mujore në qitjen me pistoletë në 25 metër. Sportistja shqiptare është e datëlindjes 1966, pra 53 vjeçe. Është pothuajse më e vjetra e të gjitha sportisteve të marra në këtë renditje kontinentale.
Dhe nëse ka një rekord për Shqipërinë në këtë renditje të qitjes evropiane, është mosha e vjetër e sportistëve të saj. Nga meshkujt, Arben Kuçana mban vendin e 45-të në renditjen evropiane në garën e 10-metër pistoletë me ajër. Ky është pozicioni më i mirë i Shqipërisë në sportin e qitjes. Edhe qitësi në fjalë është i një moshe relativisht të madhe, pasi është i datëlindjes 1967, pra 52 vjeç. Të tjerët nuk janë të përfshirë në ranglistën evropiane të këtij muaji, madje, duke mos marrë pjesë në gara serioze ndërkombëtare, nuk e kanë fare emrin në renditje.
Kjo do të thotë se nga lavdia e dikurshme e qitjes, ka mbetur vetëm mosha e madhe e sportistëve. Shqipëria ka qitësit më të vjetër në kontinent, një shenjë jo e mirë kjo për vazhdimësinë.