Gjergj Vyshka 24.01.2017 16:10
Ndërkohë për Sport Ekspres ka folur dhe trajnerja e Studentit, Diana Mata, ndërsa karshi saj nëpërmjet një postimi në facebook Lumturi Pepa ka hedhur një sërë akuzash, të cilat do t’i ndjekë në shkallë të tjera në gjykatë. “Unë kam 10 vjet trajnere e Studentit, – thotë Mata, – dhe, të themi të drejtën, asnjëherë nuk ka qenë sportiste cilësore. Madje kur të tjerët kapnin normën e kategorisë së parë, ajo nuk arrinte asgjë dhe merrte trajtimin ushqimor, apo dhe rrogën.”
“Mos harroni që ka qenë rroga e Lindita Kodrës, e cila më 2007-ën ishte nënkampione e Evropës, të cilën e përfitoi në rrugë të tjera, – ka vijuar ish-qitësja e njohur. – Vetë i solli kamerat e emisionit investigativ, “Stop” (të TV Klan), vetë shkoi në gjykata, por për çfarë? Ça mund të marrësh nga trajtimet ushqimore, që ajo thotë se i kam përfituar unë. Ajo prishi qitjen e Tiranës. Bën garë me veten dhe është rekordmene me një rezultat që në arenën ndërkombëtare e ka renditur të fundit, apo të parafundit.”
“Nuk ka ndodhur asnjëherë të jetë mbyllur poligoni, sepse kanë vazhduar garat, – ka vijuar ajo. – Faktet janë ato që janë në letra, sepse me gojë mund të thuhen shumë gjëra. E gjitha kjo bëhej që të më hiqnin mua si trajnere e të vinte ajo.” E në këto kushte, Nallbani e Mata kanë mbrojtur veten e tyre ndaj Lumturi Pepës, e cila është bërë sebep për kontrolle të njëpasnjëshme në Klubin Shumësportësh “Studenti”, deri edhe kamerat e “Stop”-it, që shkuan edhe Federatën Shqiptare të Qitjes.