AlbanianSport.com 30/08/2019 21:35
ASNN – Qitësi Arben Kuçana, i cili jeton prej vitesh në Gjermani, ka arritur një tjetër rezultat të shkëlqyer në disiplinën e 10 m pistoletë-ajër. Ai është shpallur “kampion ekipor i Gjermanisë, duke i shtuar repertorit të tij edhe një tjetër medalje ari. Pas këtij suksesi, 51- vjeçari nuk ka ngurruar ta thumbojë Federatën Shqiptare të Qitje. Në një postim në profilin e tij në rrjetin social “Facebook”, ai shkruan: “Në kampionatin gjerman “kampion”, ndërsa në Shqipëri, federata më pezullon nga të gjitha garat. Kush e deshi me gjithë zemër Shqipërinë dhe nuk vuajti!”
Kuçana jeton prej shumë vitesh në Mynih të Gjermanisë, ndërkohë që ka marrë pjesë në garat e Kampionatit Kombëtar në Shqipëri, duke qenë një “kampion” i padiskutueshëm i qitjes. Si për ironi të fatit, vetëm disa muaj pasi u la jashtë listës së një veprimtarie ndërkombëtare si Lojërat Evropiane, ai tregon vlera të padiskutueshme duke shkëlqyer në Gjermani. Në fakt, problemi me përzgjedhjen e sportistëve të cilët përfaqësojnë Shqipërinë në garat ndërkombëtare ka qenë gjithnjë i pranishëm në sportin shqiptar.
Disa muaj më parë Federata e Qitjes u përfshi në polemika të shumta, për shkak të mosgrumbullimit për në Lojërat Evropiane “Minsk 2019” të kampionit Arben Kuçana. Në vend të tij federata dërgoi në atë veprimtari të riun Henri Rrufa, djalin e presidentit të FSHQ-së, Stefan Rrufës. Një zgjedhje që solli një përplasje dhe akuza të shumta nga qitësi Kuçana, i cili ngriti zërin për këtë padrejtësi të bërë ndaj tij. Federata e shpjegoi këtë zgjedhje, duke theksuar se udhëtonin në Bjellorusi me ftesa dhe se kishin menduar që t’u jepej më tepër hapësirë sportistëve të rinj.
Për ditë me radhë, Kuçana akuzoi drejtpërdrejt kreun e federatës, duke e quajtur një shkelje dhe një skandal të madh përjashtimin e tij, pasi është kampion i padiskutueshëm në këtë sport.