Gjergj Vyshka 24.01.2017 11:35
Shefi i Klubit Shumësportësh “Studenti”: “Në krye të ekipeve ka kryetrajner dhe unë kam vepruar mbi bazën e relacioneve të tyre”. Fitorja e pjesshme në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv pranë KOKSH, e qitëses Lumturi Pepa, por dhe ajo çfarë ka ndodhur në të gjithë këtë periudhë në Klubin Shumësportësh “Studenti”, e ka detyruar shefin e këtij klubi, Blendi Nallbani, të reagojë. Sipas tij, gjithçka ai ka bërë është vetëm në zbatim të ligjit.
“Në Klubin Shumësportësh “Studenti”, – thotë Nallbani për “Sport Ekspres”,- janë vetëm trajnerët ata që vendosin për sportistët e tyre se kë do të mbajnë, apo jo. Në këtë rast edhe me Lumturi Pepën unë kam një relacion të trajneres Diana Mata, e cila ka relatuar se ka pasur thyerje të disiplinës nga sportisti. Unë e kam mbrojtur atë dhe Arben Cerinën, sepse kam ecur me parimin që sportisti duhet mbrojtur, pasi duhet paguar djersa e tij.”
“Në këtë rast kam mbyllur poligonin derisa Federata Shqiptare e Qitjes të falte Pepën dhe Cerinën, – ka theksuar ish-futbollisti i njohur kryeqytetas, tanimë drejtues i klubit universitar. – Madje e kemi falur Pepën dhe në dy raste të tjera e ky ishte i treti dhe nuk mund të tolerohej më. Një lumë shpifjesh ndaj Federatës, Drejtorit të Sporteve në Ministri, apo dhe klubit. E si e tillë, edhe mbi bazën e relacionit të trajneres, është pezulluar.”
“Sigurisht çdo njeri që sheh një padrejtësi në një institucion ku punon do t’i drejtohet gjykatës dhe do të zbatohet vendimi që merret. Por po e them dhe një herë jam në zbatim të ligjit dhe të asaj që thonë kryetrajnerët, sepse ndryshe nuk mund të ketë vijueshmëri Klubi Shumësportësh “Studenti”. Çka i takon do të mund ta marrë”, – ka përfunduar shefi i Klubit Shumësportësh “Studenti”, Blendi Nallbani.