Gjergj Vyshka 18.10.2014 12:55
Qitja me pjatel nuk do të jetë thjesht një sport amator, i organizuar në kushte vullnetare nga shoqata e gjuetarëve në Shqipëri. Me nismën e Përparim Laçit, por dhe me mbështetjen e Federatës Shqiptare të Qitjes, në Pukë të shtunën është organizuar e para veprimtar me rregulla ndërkombëtare për qitjen me pjatel. Kupa, që ka mbledhur gjuetarët e zonës së Pukës, Malësisë së Madhe, Shkodrës dhe Lezhës, të paktën dhe sipas Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi, ka pasur emrin e një figure të sportit pukjan si Ram Selimi.
Dhe me marrëveshjen e të gjithë, kupa i është dorëzuar familjarëve. Ndërkohë veprimtaria, që është zhvilluar të shtunën në stadiumin e Pukës, jo vetëm që ka mbledhur shumë dashamirës, por ka pasur të pranishëm kryetarin e Bashkisë së Pukës, Beqir Arifajn, si dhe deputetin e zonës. “Ne sponsorizuam dhe dërguam aparatin elektrik që zhvillohet kjo disiplinë, dhamë disa diploma për këta pasionantë të këtij sporti dhe u kërkuam atyre të vijën të licencohen në Federatë që të marrë udhë ky sport”, – ka thënë sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Qitjes, Koço Mikerezi.
“Është sport i kushtueshëm, sepse ka dhe armët e tij specifike, – ka vijuar nr. 2 i organizmit që qeveris qitjen shqiptare. – Dhe në Shqipëri i vetmi poligon që plotëson standardet është ai pranë lumit Erzen. Megjithatë ishte një veprimtari promovuese në mënyrë që të rinjtë të vijnë dhe ta frekuentojnë dhe qitjen me pjatel, e cila bëhet kryesisht nga gjuetarët. Themi se kemi bërë një hap, sepse ka dhe interesim nga të gjithë, veçanërisht në zonën e Pukës.”