Gjergj Vyshka 25.02.2016 22:55
Tashmë bëhet më ligjore mbështetja në infrastrukturë dhe organizim me njerëz për Federatat Sportive për aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare kundrejt pagesave financiare. Qeveria dhe Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e djeshme, i ka bërë një rifreskim funksioneve të Agjencisë së Shërbimit të Sportit, e cila do të jetë në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. Jo vetëm kaq, por do të funksionojë sipas rregullores së vendosur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për më tepër nga titullarja e këtij dikasteri.
E jo vetëm kaq, por marrëdhëniet e punës së nëpunësve të Agjencisë së Shërbimeve të Sportit, rregullohen në bazë të Kodit të Punës së Republikës së Shqipërisë. Madje tashmë do të ketë një drejtor të përgjithshëm, i cili emërohet dhe shkarkohet nga ministria e linjës, Ministria e Arsimit dhe Sportit. E në organigramë do të jetë edhe një zëvendësdrejtor i përgjithshëm. Agjencia e Shërbimeve të Sportit drejtohet nga drejtori i Përgjithshëm, i cili përfaqëson agjencinë, si dhe organizon e drejton të gjithë veprimtarinë e saj.
Ashtu sikurse ka qenë edhe më parë, Agjencia e Shërbimit të Sportit ofron shërbime për federatat shqiptare të sportit, shoqatat dhe klubet sportive që kërkojnë mbështetjen e saj, sipas kapacitetit infrastrukturor dhe financiar. Realizimi i këtyre shërbimeve bëhet sipas akteve nënligjore në fuqi dhe në bazë të marrëveshjeve paraprake ndërmjet palëve. Në të njëjtën kohë Agjencia e Shërbimeve të Sportit asiston dhe mbështet me personel të specializuar dhe infrastukturë federatat sportive në Republikën e Shqipërisë për zhvillimin e aktiviteteve kombëtare e ndërkombëtare.
E jo vetëm kaq, por Agjencia e Shërbimeve të Sportit ofron shërbimet e mëposhtme për ekipet kombëtare dhe federatat sportive; a) Akomodimin, kontrollin dhe trajtimin mjekësor për çdo kategori moshash të ekipeve kombëtare; b) Administrimin dhe menaxhimin e ambienteve e të terreneve sportive, në zbatim të akteve ligjore e nënligjore në fuqi; c) Administrimin dhe menaxhimin e bazës materiale sportive, në dispozicion të ekipeve kombëtare; ç) Ofrimin e mjediseve e të infrastrukturës tjetër të nevojshme për periudhën e grumbullimit të ekipeve kombëtare, sipas kalendarit të përcaktuar me parë; d) Dhënien me qira të aseteve (zyra dhe mjedise sportive), sipas kuadrit ligjor në fuqi.
E të gjitha këto funksionime, të cilat do të hyjnë në fuqi pas botimit të vendimit të në Fletoren Zyrtare, ndërsa është ngarkuar Ministria e Arsimit dhe Sportit për zbatimin, do të hyjnë në fuqi pasi të jetë ndërtuar Qendra Olimpike, ndërsa për ekipet kombëtare do të jenë në dispozicion jo vetëm sallat e sporteve, por dhe hoteleria. Megjithatë gjithçka e vendosur dje është një rifreskim i funksioneve të Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, për të mos thënë një kthim në magazinim të të gjithë bazës materiale të ekipeve kombëtare dhe administrim nga kjo strukturë.
Shkurt, Agjencia e Shërbimit të Sportit gjallërohet më shumë nga këto funksione, por a do të jenë Federatat ato që do të kenë nevojë për ndihmën e këtij institucioni dhe kundrejt pagesave? Kjo mbetet për t’u parë, ndonëse me vendimin e djeshëm të qeverisë Agjencia e Shërbimit të Sporteve ka zgjeruar funksionet e saj që i ka pasur. Pasi është në vartësi të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ashtu sikurse emërimi dhe prezantimi i drejtorit të përgjithshëm, që sot është Bledar Doçi, është bërë pikërisht nga ky dikaster. E jo vetëm kaq, por mbështetet me buxhet nga ky dikaster.