AlbanianSport.com 03/05/2020 20:10
ASNN – Edhe pse, për momentin, sinjalet që vijnë janë të përziera, që luhaten nga hapja e dritës jeshile e deri tek ndjekja e modelit të frikshëm francez, pra, ndaljes së plotë, ka ardhur të paktën një lajm i mirë për futbollin francez. Kjo sepse qeveria e Italisë e ka hapur dritën jeshile për lejimin e mbajtjes së stërvitjeve në qendra stërvitore, që nënkupton se klubet e Serisë A tani mund t’i rifillojnë përgatitjet.
Numri i të prekurve por edhe i personave që po humbin jetën nga koronavirusi në Itali ka ardhur në rënie gjatë ditëve të fundit, me situatën që duket se, pak nga pak, po shkon drejt normalizimit. Për këtë arsye të gjithë futbollistët që luajnë në Gadishullin e Apenineve kanë marrë një lajm të madh nga qeveria, e cila ka vendosur se të gjithë sportistët mund të rinisin stërvitjet e tyre, në mjedise publike ose private.
Është vendosur gjithashtu rregulli që të respektohet largësia 2 metër nga njëri-tjetri. Kështu, qeveria e Italisë ka dhënë leje që sportistët të rikthehen stërvitjet në qendrat stërvitore nga dita e hënë, pasi disa rajone kanë hapur dyert e tyre. Dekreti fillestar i kishte ndarë sportistët në sporte ekipore dhe ata në disiplina individuale, të tilla si tenisi e atletika, ndonëse forma e stërvitjeve ishte identike.
Duke qenë se disa asamble rajonale do të hapin qendrat stërvitore nga 4 maji e jo të presin deri më 18 maj, qeveria ka pranuar se nuk është e drejtë të vazhdohet kufizimi i vetëm disa disipilinave. Ministria e brendshme e Italisë u ka dërguar letër autoriteteve lokale duke i njoftuar se lejohet stërvitja individuale nga dita e hënë. Klubet dhe Shoqatare e Lojtarëve të Futbollit të Italisë e kanë mbrojtur me sukses kauzën e tyre.
Ata kanë argumentuar se është më e sigurt të vrapohet në qendër stërvitore ku distanca sociale është e garantuar, sesa të vrapohet nëpër parqe lokale. Mirëpo, e përditshmja e njohur “La Repubblica” raporton se ekziston ende mundësia që Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konti, të marrë një vendim drastik të mërkurën që të mos vazhdohet sezoni aktual, ai 2019-2020 i Serisë A.
Nga ana tjetër, të 20 klubet e Serisë A kanë shprehur më herët dëshirën për të përfunduar sezonin, kështu që ka mbetur thjesht arritja e një marrëveshjeje për protokollin mjekësor. Seria A këmbëngul se protokolli që ka propozuar është i ngjashëm me atë në Spanjë e Gjermani, ndërsa ka shtuar se një epërsi në këtë drejtim është se Italia ka kapacitet më të madh testues, pasi është një nga vendet e para evropiane që është goditur nga epidemia e “COVID-19”.