AlbanianSport.com 26/01/2019 10:55
ASNN – Ushtria dhe policia e Francës kanë punuar së bashku për disa vite për të stërvitur instruktorët e qenve në shpëtimin e njerëzve nga ortekët. Kandidatët duhet të kryejnë stërvitje dhe ushtrime në kushte reale përpara se të kualifikohen. Majori Riçard Ortet, nga skuadra e qenve tregon se gjatë 4 viteve të fundit janë kryer stërvitje të shumta.
“Për katër vitet e fundit, ne kemi bërë shumë trajnime për xhandarët të cilët janë stërvitur në nivelin e policisë dhe kjo ja sjellë një ndarje të njohurive, të objektivave që kemi së bashku, – rrëfen ai. – Në mënyrë që gjatë rënies së një orteku ne të punojmë së bashku dhe të dimë detyrat e secilit gjatë operacionit të shpëtimit.” Grupet e shpëtimit tani kanë pajisjet moderne zbulimi, por në realitet qeni është mjaft i domosdoshëm.
Por stërvitja e qenit kërkon një investim të madh. Qeni duhet t’i tregojë të zotit se ku ndodhen viktimat. Kjo është një ndihmë e madhe gjatë operacionit të zbulimit. “Duhet të ketë një bashkëpunim të madh midis qenit dhe të zotit, – shpjegon Orteti. – Qeni duhet të ndjejë erën e viktimave që janë të mbuluar nga bora e ortakut.
“Dhe, më pas, të sinjalizojë mbajtësin e tij për këtë, – vijon majori francez. – Këta të dy, qeni dhe mbajtësi duhet të jenë një skuadër. Ata sinjalizojnë më pas helikopterët për t’i dërguar trupat për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Nëse qeni është nën stres, ai atëherë nuk do të jetë në gjendje për të punuar në mënyrë efektive në borë.”