AlbanianSport.com 08/01/2018 11:35
ASNN – Trajneri Hoze Murinjo ka befasuar tërësisht pas fitores së madhe 1-2 të Mançester Junajtid përballë Juventusit në fushën e këtij të fundit. Në momentin që italianët shënua autogol në minutën e fundit dhe që i dha epërsinë Junajtid, Murinjo iu kthye tifozëve me duar në vesh dhe me një domethënie “pse nuk po ju dëgjoj më?”. Këtë gjest, në dukje antisportiv, trajneri portugez e ka sqaruar pas ndeshjes, por me një provokim të radhës, duke thënë se tifozët e kishin fyer atë nga familja si dhe nga “dobësia” tjetër e tij, Interi.
“Jam fyer për 90 minuta. Erdha këtu, bëra punën time, asgjë tjetër, – tha Murinjo për mediat në konferencën për shtyp, – nuk e fyeva askënd deri në fund, bëra vetëm një gjest që dëshiroja të dëgjoja më shumë brohoritma. Nuk është dashur ta bëj, me kokë të ftohtë nuk është dashur ta bëj, por pasi fyen familjen time, përfshirë edhe familjen e Interit, reagova kështu. Ne luajtëm një ndeshje fantastike, në nivelin tonë më të lartë, përderisa nuk ka më mirë. Erdhëm këtu, luajtëm si skuadër kundër një skuadre me një nivel dhe potencial tërësisht ndryshe.”
“Ne arritëm që të fitojmë sepse ne luajtëm një ndeshje shumë, shumë pozitive dhe ne kërkuam fitore deri në fund, – vijoi Murinjo. – Ne e kërkuam atë. Felaini e ndryshoi ndeshjen, siç bën zakonisht. Ne nuk e patëm atë në ndeshjen e parë, Juventusi luajti me Barzaljin për të na kontrolluar neve, por ne shkuam në lojë direkte dhe shënuam golat. Ne futëm edhe Huan Matën, jo për të gjuajtur gjuajtje të lira, por për të krosuar për Felainin, i cili dominon në ajër. Një pikë apo tri nuk do të ndryshojnë shumë për Juventusin, por 3 pikë janë të mëdha për ne.”
“Mendova një barazim por ne morëm rezultatin që e merituam”, – përfundoi trajneri portugez i Junajtid, Hoze Murinjo. Si duket, fitorja e entuziazmoi së tepërmi Murinjon, ndërsa nuk u largua nga Torino pa thumbuar “Zonjën e Vjetër” dhe për ta ngatërruar atë me Interin, ish-skuadrën që drejtoi në vitin 2010 dhe me të cilën fitoi kampionat e kupë në Itali, si dhe Ligën e Kampioneve.