AlbanianSport.com 05/10/2021 18:40
ASNN – Federata Shqiptare e Futbollit në bashkëpunim me Fondacionin “Henrietta Leavitt”, promovuan librin “Maradona: Dora e Zotit” me autor Xhimi Bërns dhe që ka ardhur i përkthyer në shqip nga Valbona Nathanaili. Në këtë aktivitet, që u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar, ishte i pranishëm edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, si edhe personalitete të botës së sportit, studiues dhe pedagogë, adhurues dhe ndjekës të vëmendshëm të aktivitetit të Diego Armando Maradonës.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Duka uroi përkthyesen e librit për punën e bërë dhe u shpreh se ky libër është një vlerë e shtuar për të gjithë lexuesit shqiptar. “Në fakt se kush është lojtari më i madh në historinë e futbollit nuk e ka ndarë gjithë bota, – ka thënë ai fillimisht. – Dikush thotë Pele, dikush Maradona. Brezi i sotëm padyshim i njeh më pak Pelen dhe Maradonën se sa Mesin. Njerëz me aftësi e dhunti të veçanta kërkojnë administrim të veçantë për të marrë maksimumin që ky talent i jep njerëzimit.”
“E uroj zonjën Nathanaili për përkthimin dhe besoj se do të jetë një vlerë e shtuar në historinë e futbollit për të gjithë lexuesit shqiptarë, jo vetëm për ata të futbollit, sepse Maradonën futbollist nuk e përshkruan libri, por një personazh vërtetë i veçantë, me të gjitha këto që ne po diskutojmë, droga, veset dhe fenomeni si futbollist. Ju falënderoj pasi vërtetë do të jetë një vlerë e shtuar për lexuesit e futbollit”, – e Presidenti Duka fjalën e tij. Libri është një biografi, e paautorizuar, e Diego Armando Maradonës, përditësuar me vitet e fundit të jetës së lojtarit të shquar.
Bërns ka punuar për një periudhë 30-vjeçare për të na dhënë dëshminë më të mirë të jetës dhe aktivitetit të një prej lojtarëve më të mirë të të gjitha kohërave. Një biografi shkruar bukur për një njeri të jashtëzakonshëm. Një histori e trazuar, por e mbushur me pasion, talent dhe vullnetin për t’ia nisur gjithnjë nga e para!