AlbanianSport.com 30.01.2014 08:25
ASNN – Sipas asaj që raportojnë mediat sportive shqiptare, Prokuroria e Vlorës është duke punuar intensivisht për atë që ndodhi në ndeshjen Flamurtari-Teuta, luajtur më 24 janar 2015.
Vetëm një ditë më parë, burime pranë kryeprokurorit të Vlorës, Ramadan Troci, zbuluan për AlbanianSport.com se kanë nisur zyrtarisht hetimet, ndërsa u është kërkuar gjashtë kompanive më të mëdha të basteve në vendin tonë një raport i detajuar për kuotimet dhe shumat e luajtura para dhe gjatë ndeshjes.
Gjatë së mërkurës, këto burime pranë organit të akuzës në Vlorë sqaruan se është duke u pritur përgjigjja nga kompanitë e basteve. “Pasi të ketë një informacion të hollësishëm nga kompanitë e basteve, do të thirren për të dëshmuar drejtues të klubit dhe futbollistë nga të dyja skuadrat, ku do të merret edhe deponimi i tyre”, kanë pohuar burimet në Prokurorinë e Vlorës.
Informacioni që do të vijë nga kompanitë e basteve është shumë i rëndësishëm dhe në njëfarë mënyre mban peng vijimësinë e hetimit. Kjo çështje po ndiqet nga prokurorja Flora Çela, nën kujdesin edhe të kryeprokurorit Ramadan Troci.