AlbanianSport.com 23/12/2020 22:15
ASNN – Organizatorët e Olimpiadës së Tokios kanë zgjedhur një drejtor të ri krijues për të riprojektuar ceremonitë e hapjes dhe mbylljes. Me idenë që ato të bëhen më të thjeshta dhe me më pak shpenzime, për vitin e ardhshëm. Kjo detyrë i është caktuar ekzekutivit të reklamave, Hiroshi Sasaki, i cili ndihmoi në krijimin e ceremonisë së dorëzimit të flakës së Lojërave nga “Rio 2016” në “Tokio 2021”.
Organizatorët thanë se vendimi për të zëvendësuar ekipin e mëparshëm krijues prej 7 personash do të përmirësonte efikasitetin ndërsa rimodelonte ceremonitë tradicionale për të qenë “në përputhje me situatën”. “Ceremonitë do të jenë një festë e shkëlqyer për t’u shijuar nga atletët dhe gjithë pjesëmarrësit, – thanë organizatorët në një deklaratë. – Por sipas të gjitha gjasave do të jenë më të thjeshta dhe me më pak shpenzime, për të pasqyruar thjeshtimin e përgjithshëm të Lojërave.”
“Por edhe nevojën e mundshme për të marrë ende në konsideratë masat kundër Covid-19”, – përfundon deklarata në fjalë. Sasaki tha se ka qenë fëmijë kur ka shijuar ceremonitë spektakolare të Lojërave Olimpike të 1964-ës. Por, me keqardhje pranon se kjo gjë nuk mund të ndodhë në 2021, për shumë arsye. Organizatorët po ecin përpara me përgatitjet për Lojërat Olimpike të shtyra për në 2021, duke njoftuar një buxhet të ri, oraret e veprimtarive dhe masat e virusit korona në javët e fundit.