ASNN – Dje paradite, në mjediset e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet, u bë prezantimi i skuadrës më të re, “Kevitan”, një klub privat në Tiranë, që në edicionin që do të nisë së afërmi do të konkurrojë në Kategorinë e 3-të të Kampionatit Kombëtar të Futbollit.
Fillimisht, për të pranishmit, shumica e të cilëve ishin përfaqësues të mediave, foli koordinatori i këtij klubi, Migrit Vataj, i cili në emër të Kevitan bërë një pasqyrë të idesë së ngritjes së klubit të sapokrijuar.
Më pas fjalën e morën Mark Vataj dhe Bledar Malaj, përkatësisht trajner dhe portier i ekipit, të cilët u angazhuan që në sezonin e ri, skuadra e tyre do të ketë si synim, jo vetëm përfaqësim dinjitoz, por do të synojë të arrijë objektivin madhor, atë të konkurrimit sezonin e ardhshëm në nivelet më të larta të kampionatit.
Në të ardhmen, klubi më i ri “Kevitan”, do të synojë krijimin e ekipeve “zinxhir” të të gjitha moshave. Krijimi i kësaj strukture, brenda këtij klubi, sipas drejtuesve të tij, ka si synim ardhjen në ndihmë të fëmijëve në nevojë, si dhe të gjithë atyre që e ndjejnë veten të aftë për të kontribuar në ngritjen në nivelet e larta të klubit të sapokrijuar, “Kevitan”