AlbanianSport.com 03.03.2015 20:40
ASNN – Për sezonin Vjeshtë/Dimër 2015, Kanye West dhe adidas Originals zbulojnë një propozim të ri tepër të guximshëm: YEEZY Sezoni 1, një koleksion special veshjesh dhe këpucësh të dizenjuar plot dashuri dhe përkujdesje, të cilat i dedikohen universalitetin dhe pafundësisë. Ky koleksion është përshkruar nga Kanye si linja e parë në botë e veshjeve, të cilat ofrojnë zgjidhjet bazike për këdo dhe në çdo rast. Copat individuale të veshjeve përcaktojnë një stil që përputhet me ritmin dhe dinamikën e vazhdueshme të jetës bashkëkohore. “Unë nuk dua që rrobat të kthehen në një qëllim në vetvete, në një arsye ekzistenciale, apo të marrin domethënien dhe rëndësinë e vetë jetës”,- thotë ai. “Unë dua që këto veshje të ndihmojnë dhe lehtësojnë sadopak jetën e gjithsecilit.”
I prezantuar gjatë javës së modës New York Fashion Week, pak përpara fundjavës All-Star, shfaqja ishte konceptuar në formën e një bashkëpunimi të ngushtë të West me artisten e njohur bashkëkohore Vanessa Beecroft. Pasi hynë të gjithë në vendin e ideuar për organizimin e sfilatës, të ftuarit u shoqëruan dhe akomoduan në një dhomë disi të turbullt, të ndriçuar lehtë, ku 9 rreshtat e modelëve qëndronin stoikë dhe të palëvizshëm. Sapo dritat filluan të ndizeshin me një intensitet gati-gati verbues, çdo rresht i modelëve filloi gjithashtu të ecte përpara, duke i dhënë audiencës mundësinë për të shijuar dhe ndjekur një pamje të plotë të veshjeve të dizenjuara. Disa prej VIP-ave të ftuar ishin: Beyonce, Jay-Z, Kim Kardashian West, Rihanna, Drake, Justin Bieber, P. Diddy, Kris Jenner, Kendall Jenner, Khloe Kardashian, George Condo, Anna Wintour, Spike Jonze, Russell Simmons, Big Sean, Pete Wentz, Pusha T, A$AP Ferg, Steven Klein, 2Chainz, Cassie, Alexander Wang, Kehinde Wiley, Tom Sachs, Gia Coppola, Travis Scott, A-Trak, Jeanne Greenberg Rohatyn, Hailey Baldwin, dhe atletët e adidas John Wall dhe Von Miller. Krijimi më i fundit i Kanye West në bashkëpunim me këngëtaren Sia dhe Vic Mensa, “Wolves”, ende i palançuar në tregun muzikor ndërkombëtar dhe njëkohësisht pjesë e albumit të ardhshëm të tij që pritet të dalë së shpejti, u bë kolona zanore dhe mishërimi real i gjithë asaj atmosfere elektrizuese duke shoqëruar kulmin e performancës epike që mbizotëronte kudo.
Përmes këtij koleksioni, qëllimi kryesor i West është të çlirojë konsumatorët nga stresi i përditshëm i përzgjedhjes së veshjes ideale dhe të përshtatshme për aktivitetet e ndryshme të tyre, rutinë ose jo, duke krijuar një linjë sa utilitare dhe të domosdoshme, aq edhe të një cilësie të lartë, e cila mund të kombinohet lirisht në mënyra të pafundme “si Legos”. Për stilistin një koleksion i tillë do të thotë dizenjimi i veshjeve të cilat të krijojnë përshtypjen sikur je i zhveshur, por mbitëgjitha të rehatshme, të lehta, komode dhe rroba të thjeshta për një “çift modern të shoqërisë së lartë”, të cilat nuk kanë si qëllim në vetvete të tërheqin me doemos vëmendjen e të tjerëve apo të bëjnë përshtypje të jashtëzakonshme dhe të ekzagjeruar. Kjo linjë e pazakontë nënkupton copa të cilat mund të vishen kudo, nga palestra, në zyrë, në një takim, në aeroport dhe kudo tjetër. “Doja të krijoja diçka që të ndjehet dhe përçojë disi aromën e Nju Jork-ut apo Parisit, Tokyo-s, Santa Barbara-s ose Chicago-s, një miks dhe pafundësi gjërash, veshjesh e ndjesish me natyrë sa materialiste, luksoze dhe të shtrenjta, aq edhe të thjeshta, modeste, të përballueshme e lehtësisht të aksesueshme nga të gjithë.”
Koleksioni i West karakterizohet nga silhueta voluminoze dhe oversize bluzash, xhaketash dhe palltosh, streçe dhe body tepër të ngushta, në nuanca natyrale ngjyrë mishi, gati transparente, të shtrënguara fort mbas trupit dhe bluza të gjera, të gjata, të cilat mbulojnë një pjesë të këmbëve, të bazuara gjerësisht në stilin personal, unik dhe të pangatërrueshëm të Kanye West. Veshjet tepër origjinale të këtij koleksioni, krijojnë kontraste të fuqishme dhe mjaft të dallueshme me stilin luksoz të rrugës dhe të ashtuquajturin stilin antik por mjaft të ndjekur “vintage”, duke i dhënë formë një garderobe të re, moderne dhe të guximshme për t’u eksploruar. Veshjet dedikuar meshkujve, përfshijnë bluzat e gjera sportive dhe xhaketat bomber me xhepa të mëdhenj oversize, xhaketa pambuku me pak jakë, tuta dhe bluza të lirshme oversize me dy shtresa, mëngë të varura dhe të lëshuara, të cilat mbulojnë një pjesë të duarve, kurse në pjesën e poshtme, kapakët e mëngëve krijojnë disa rrudhosje mjaft interesante dhe gjithashtu T-shirts të përsosur dhe tepër komodë, në ngjyrat natyrale, kamel, kafe, gri, të zezë, ngjyrë ulliri, blu në gri, dhe disi të përziera dhe kamufluara. Çdo veshje është ideuar dhe dizenjuar për t’u veshur nga të dyja gjinitë.
Koleksioni i veshjeve për femra, në një mënyrë të qartë, të mirëmenduar dhe të qëllimishme i jep formë një silhuete femërore elegante, provokuese, gati transparente, e karakterizuar nga beli i lartë i veshjeve të ngushta pas trupit, gjatësia deri tek gjuri ose pak më poshtë i çorapeve të holla, kostumet me trup “body” të nuancave nga më të ndryshmet, gati-gati tërësisht transparente, të cilat nxjerrin në pah më së miri format e trupit, funde tub me shtrat të lartë prej pambuku, bluza të shkurtra bust, të ngushta po ashtu mbas trupit, që përdoren për vrap dhe ajo që përbën gjetjen më fantastike, të zgjuar dhe totalisht origjinale të këtij koleksioni janë bluzat e shkurtra “crop” të dizenjuara me mprehtësi nga materialet e çorapeve adidas. “Kjo është një sfidë e hapur, tek e cila moda përbën aktualisht një ideal të ri femëror”,- thotë West, duke shpjeguar më hollësisht edhe modelet oversize të veshjeve, llojin e materialeve, copave dhe ngjyrave që ai ka përdorur, prerjet jo simetrike, të lakuara e të gjera dhe padyshim përdredhjet e fustaneve rreth belit.
Përsa i përket këpucëve, Kanye West dhe adidas kanë bashkëpunuar ngushtësisht për të prezantuar shumë më shpejt nga sa ishte parashikuar, modelin e ri dhe tepër të veçantë të atleteve YEEZY Boost. Atletet e prezantuara së fundmi në New York Fashion Week, janë me qafë, mjaft elegante dhe përbëhen prej një materiali të butë kamoshi, kurse në pjesën e sipërme të tyre kanë një kapak të endur në formë ngjitësi. Modelet për femra kanë në pjesën e poshtme një platformë që ofron më tepër qëndrueshmëri, njëlloj si çizmet e dizenjuara për terrene me borë. Ky koleksion është projektuar dhe zhvilluar në partneritet të ngushtë me ekipin profesional të produkteve adidas. Stilisti dhe dizajneri i famshëm shpreh mirënjohjen e tij të thellë ndaj skuadrës fantastike adidas, duke i vlerësuar maksimalisht për profesionalizmin, novatorizmin dhe nivelet e larta dhe të pashembullta teknike që ata disponojnë. West shprehet: “Ata janë një kompani super inovative, të cilët ju japin artistëve një platformë dhe shanc për të krijuar dhe ëndërruar.”
Vanessa Beecroft është e njohur ndërkombëtarisht që prej vitit 1993. Që në fillimet e saj, ajo është shquar për performancat e saj inovative dhe origjinale dhe gjithashtu për qasjet e pazakonta në fushën e dizenjimit e krijimit të imazheve dhe komunikimit. Veprat e saj janë të pozicionuara në hendekun midis artit dhe jetës. Edhe pse eventet e saj më të rëndësishme live janë të regjistruar dhe evidentuar përmes fotografisë dhe filmit, qasja e saj konceptuale është më e ngjashme me krijimin e një pikture të gjallë, të cilën kemi mundësinë ta jetojmë të gjithë.
Puna e Beecroft mund të gjendet dhe dëshmohet në koleksione të panumërta publike dhe private anembanë botës, duke përfshirë Muzeun Kombëtar MAXXI të Arteve të shekullit të XXI-të, në Romë, Itali (2014); Kolonia Club, New York, NY (2014); Art Basel, Miami, Florida, SHBA (2013); Galleria Lia Rumma, Milano, Itali (2011); MMK, Frankfurt, Gjermani (2010); Mercato Ittico, Napoli, Itali (2010); PAC, Milano, Itali (2009); Spasimo, Palermo, Itali (2008); Pescheria di Rialto, Venecia, Itali (2007); Galeria Gana Art, Seoul, Korea (2007); Galeria Kombëtare, Londër, UK (2006); Neue Nationalgalerie, Berlin, Gjermani (2005); Kunsthalle Bielefeld, Bielefeld, Gjermani (2004); Castello di Rivoli Museo d’Arte Contemporanea, Torino, Itali (2003); Bienal de São Paulo, São Paulo, Brazil (2002); Palazzo Ducale, Genoa, Itali (2001); Guggenheim Museum, New York, SHBA (1998); MoMA PS1, Long Island City, New York, SHBA (1994).
“Wolves” nga Kanye West
Bashkë-shkrimtarë: Cashmere Cat, Vic MENSA, Sia, Mike Dean, Noah Goldstein.
Producentë: Kanye West, Cashmere Cat, Mike Dean, Nuhu Goldstein,
Artistë të tjerë pjesëmarrës: Vic MENSA dhe Sia.