AlbanianSport.com 01.02.2016 16:15
ASNN – Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Lordi SebastianKoe, ka mbërritur të hënën në Tiranë për një vizitë në Tiranë dhe, duke folur në pistën e Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa”, që do të prishet për t’i lënë vendin një stadiumi të ri, ai ka shprehur shqetësimin e tij për humbjen e një tjetër mjedisi sportiv për atletikën. Presidenti i Federatës Botërore të Atletikës ka mbërritur rreth orës 08:30 të mëngjesit në Tiranë, ndërsa rreth orës 14:30, ka qenë përpara gazetarëve në një konferencë për shtyp të improvizuar në pistën e “Qemal Stafës”.
Sipas tij, zhvillimi i këtij sporti ka të bëjë me krijimin e terreneve dhe kushteve të nevojshme për atletët. Po ashtu, ai kërkoi futjen e atletikës në programet shkollore. Ashtu si çdo sport tjetër edhe për atletikën, pistat dhe infrastruktura e nevojshme janë vendimtare për zhvillimin e saj. Ky ishte mesazhi i Presidentit të Federatës Botërore të Atletikës, Lordit Sebastian Koe. Ish-fituesi i medaljes së artë në 1500 metra, tashmë drejtuesi më i lartë i atletikës botërore vizitoi Tiranën, ku përveç takimeve me drejtuesit e federatës në vend u takua edhe me kryeministrin Edi Rama.
Duke bërë një apel për autoritetet shqiptare dhe Federatën Shqiptare të Futbollit, Koe ka këmbëngulur se mund të gjendet një rrugëdalje e pranueshme nga të gjithë. “Si çdo sport tjetër, futbolli, tenisi, regbia apo të tjerë, çdo vend duhet t’i krijojë kushtet e nevojshme atletikës që ajo të zhvillohet, – ka theksuar kreu i atletikës botërore. – Unë e di mirë edhe si ish-atlet që, për të arritur rezultate, çdo sportist duhet të ketë infrastrukturën e duhur. Vetëm në këtë mënyrë mund të zhvillohet dhe të arrihen rezultatet në të ardhmen.”
Lordi Koe ishte në Tiranë edhe për të përkrahur projektin për futjen e atletikës në programin shkollor. Lidhur me këtë President i Federatës Botërore të Atletikës (IAFF), deklaroi: “Cilësia e atletikës për një komb reflektohet në cilësinë e programeve shkollorë. Është e rëndësishme që sporti ynë të ketë një prezencë të rëndësishme në kurrikulat shkollore, në mënyrë që të rinjtë të mos fokusohen vetëm te futbolli. Këtë e di nga eksperienca ime se sa ndikim kishin mësuesit e edukimit fizik dhe trajnëret që unë të ndiqja këtë rrugë.”
Konferencën e plotë për shtyp të Presidentit të Federatës Botërore të Atletikës, Lordit Sebastian Koe (në gjuhën angleze) e dëgjoni duke klikuar në videon e mëposhtme.