AlbanianSport.com 06.02.2016 22:35
ASNN – Me ndeshjet e javës së 8-të, ka nisur sonte në Pallatin e Sportit “Bill Klinton” në Ferizaj, gjysma pranverore e Superligës së Kosovës në Volejboll për Femra. Në përballjen e sotme u takuan Kastrioti dhe Drita e Gjilanit. Pas një zotërimi të plotë në të gjitha pikëpamjet, volejbollistet e Dritës korrën një fitore të pastër me rezultatin 3-0.
Në këtë takim, Drita u paraqit me motrat e shquara shqiptare, Prenga (Amarildën, Arjolën dhe Adelajden), të cilat, në debutimin e parë së bashku në Kosovë, shkëlqyen me lojë dhe me rezultat. Fundjavën e kaluar, Arjola iu bashkua skuadrës gjilanase, duke iu bashkuar njëkohësisht dy motrave të veta, që gjithashtu luajnë për Dritën.
Arjola ndërpreu aventurën norvegjeze me Randabergun, të cilin e la në krye të renditjes së kampionatit vendas të volejbollit të femrave, për t’iu bashkuar motrës më të madhe, Amarildës, dhe motrës më të vogël, Adelajdës, tek Drita. Duhet theksuar se me largimin e saj, Randabergu dështoi në fazën finale të Ligës Nordike të Volejbollit të Femrave.
Ndonëse kryeson në kampionat, ku Arjola ishte një nga pikëshënueset më të mira, Randabergu dështoi në gjysmëfinalen e veprimtarisë rajonale pa shqiptaren, duke u detyruar të kënaqet me vendin e 4-t. Kjo paraqitje dhe mungesa e shqiptares kanë vënë në dyshim vazhdimësinë e kësaj skuadre në luftën për titullin “kampion”.