AlbanianSport.com 28.03.2015 18:55
ASNN – Në prag të ndeshjes Shqipëri-Armeni, që do të luhet të dielën, duke nisur nga 18:00 në “Elbasan Arena” dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, qyteti i Elbasanit po vishet gradualisht kuqezi.
Nëpër rrugë po shtohen gjithnjë e më tepër shitësit ambulantë që tregtojnë simbolet e Kombëtares, ndërsa edhe vetë stadiumi tashmë është gati për të pritur ndeshjen e kuqezinjve.
Punimet për pistën e tartanit kanë përfunduar në pjesën më të madhe të tyre, duke e bërë stadiumin të përshtatshëm për lojë. Megjithatë, vetë pista ende nuk është gati, por kjo nuk pritet ta pengojë zhvillimin normal të takimit.
Shqipëria dhe Armenia do të luajnë nesër në orën 18:00 në “Elbasan Arena” ndeshjen e 4-t në grupin I të Eliminatoreve të Evropianit “Francë 2016”. Shqipëria renditet në vendin e 3-të, me 4 pikë ndërsa Armenia renditet në vendin e fundit me 1 pikë të vetme.