AlbanianSport.com 02/02/2019 14:45
ASNN – Ndodhitë në futbollin shqiptar nuk kanë të reshtur. Pikërisht në Stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, përpara se të niste sfida Kastrioti-Skënderbeu, futbollisti Kristi Vangjeli është fyer dhe sulmuar nga një grup personash me të cilët edhe ka debatuar. Ky episod është mbyllur këtu dhe më pas ka vazhduar ndeshja. Një episod ka ndodhur përpara ndeshjes Kastrioti-Skënderbeu, e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore.
Një debat i ashpër ka ndodhur në parkingun e Stadiumit “Redi Maloku” të Fushë-Krujës, aty ku i luan ndeshjet Kastrioti, pikërisht në kohën kur ka mbërritur autobusi i Skënderbeut. Gjatë kohës kur lojtarët e skuadrës korçare kanë dalë nga autobus dhe po i drejtoheshin stadiumit për të zhvilluar ndeshjen, lojtari Kristi Vangjeli është ofenduar me një fjalor të pahijshëm nga një grup prej 5 personash, me të cilët më pas edhe ka debatuar.
Kaq ka qenë e gjithë ngjarja dhe më pas ka nisur dhe vazhduar më tej ndeshja në mënyrë të rregullt. I menjëhershëm ka qenë reagimi i klubit krutan, që distancohet nga çdo akt dhune qoftë edhe verbal. Klubi sqaron në profilin e tij zyrtar në rrjetin social, “Facebook” se nuk ka patur asnjë moment dhune as brenda dhe as jashtë stadiumit. “Kjo është një indicje e sajuar për të prishur imazhin e klubit tonë”, – shkruan klubi krutan.
Ndërsa në reagimin e tyre, klubi i Skënderbeut ka shkruar se kanë qenë 25 persona brenda stadiumit që kanë goditur dhe dhunuar lojtarët e Skënderbeut, Oto Xhon, Kristi Vangjeli dhe Idriz Toskiç. Ndërsa, sipas pretendimeve të klubit korçar, nuk ka patur forca policie në stadium për rendin dhe mbarëvajtjen e ndeshjes.