AlbanianSport.com 06.09.2015 18:20
ASNN – “Xhovani De Biazi ka bërë një punë të jashtëzakoshme me Shqipërinë dhe meriton vlerësimet e mia më maksimale”. Kështë ka deklaruar të dielën gjatë konferencës për shtyp trajneri i Portgualisë, Fernando Santos, i cili ka theksuar se, sidoqoftë, skuadra e tij ka ardhur këtu për fitoren. Në mbrëmje, Portuguali ka zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet edhe seancën e fundit stërvitore.
Takimi Shqipëri-Portugali do të luhet të hënën në Stadiumin “Elbasan Arena”, duke nisur nga ora 20:45, dhe do të sillet për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar. Trajneri i Portugalisë, Fernardo Santos, e ka vlerësuar lart punën e bërë nga homologu i tij italian i stolit të përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhovani De Biazi.
I pyetur nga AlbanianSport.com në konferencën për shtyp, dhënë të dielën në kryeqytet, Santos e ka quajtur të jashtëzakonshme punën e bërë nga De Biazi. “E vetmja gjë që mund të them për De Biazin është se ia ka bërë një punë të jashtëzakonshme me përfaqësuesen e Shqipërisë, në të gjitha drejtimet, – ka thënë portugezi. – De Biazi ka ndërtuar një skuadër shumë kompakte, me disiplinë të lartë, mjaft të organizuar taktikisht.”
“Dhe jo më kot Shqipëria është e vetmja skuadër në grup dhe nga të paktat skuadra në këto Eliminatore që nuk e njohin humbjen, – ka vijuar më tej trajneri i Portugalisë vlerësimin e tij për homologun italian të stolit të Shqipërisë. – Kjo flet mjaft për këtë skuadër dhe prandaj ne do të hyjmë në fushën e blertë duke i vlerësuar në maksimum shqiptarët.”
Santos ka theksuar se nuk i trembet Shqipërisë, duke përdorur madje edhe një batutë humori. “Në vendin tim ekziston një thënie që “kush ka frikë, nuk duhet të mbajë qen”, – ka thënë ai. – Unë kam 4 të tillë… Nuk e njoh frikën, aq më pak në futboll dhe nuk jam aspak i trembur nga Shqipëria, sepse ne kemi ardhur këtu për fitoren.” Ndërkohë, të dielën në mbrëmje, përfaqësuesja e Portugalisë ka zhvilluar seancën e fundit stërvitore, në përgatitje për ndeshjen e së hënës.
Vlen të theksohet se portugezët kishin zgjedhur si bazë për akomodim dhe stërvitje Tiranën dhe stërvitjen e kanë kryer në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa” në kryeqytet. Seanca stërvitore është kryer nën masa të rrepta sigurie, duke zhgënjyer sportdashësit e shumtë që ishin grumbulluar rreth stadiumit, natyrisht, për të patur mundësinë të shohin nga afër yllin e Realit të Madridit, Kristiano Ronaldo.