AlbanianSport.com 21/01/2019 20:50
ASNN – Instituti i Historisë dhe i Statistikave në Futboll (IFFHS), jep çdo vit çmimin për portierin më të mirë në botë, një vlerësim që ka marrë jetë që nga viti 1987, pra rreth 32 vjet më parë. Është stafi redaksional i këtij institucioni dhe njëherësh ekspertët nga të gjitha kontinentet që japin vlerësimin e tyre për lojtarin e fundit më të mirë në botë. Këtë çmim, vitet e fundit, e kanë fituar më shumë 3 portierë: Iker Kasijas, Xhixhi Bufon dhe Manuel Nojer, që të tre aktivë në fushat e lojës.
E vërteta është se, portieri spanjoll Iker Kasijas, së bashku me Xhixhi Bufonin, e kanë fituar nga 5 herë secili çmimin e portierit më të mirë në botë dhe këta të dy janë më të kuotuarit. Në një mbrëmje gala të futbollit botëror, çdo muaj janar jepet trofeu për portierin më të mirë, dhe e veçanta e portierit të famshëm spanjoll është se e ka fituar 5 herë radhazi këtë çmim, midis vitit 2008-2012. Ka dhe një statistikë tjetër që duhet përmendur.
Bajerni i Mynihut është skuadra që ka nxjerrë më shumë portierë që kanë fituar statusin e më të mirit në botë, plot 8 herë. Ka pasur edhe sondazhe me votë për portierin më të mirë të historisë. Natyrisht, krahasimet për periudha të ndryshme nuk janë domethënëse për cilësinë, por janë domethënëse për imazhin. Dhe me të vërtetë, lojtari që është vlerësuar si portieri i shekullit është një komunist, ose më saktë një lojtar që vjen nga Bashkimi Sovjetik.
I famshmi dhe i papërsëritshmi Lev Jashin, i cili ka pasur nofka nga më të pabesueshmet për spektaklin që dhuronte, sidomos për pritjet e tij të shkallës më të vështirë. Janë të rrallë portierët që kanë pasur cilësitë e tij, sidomos për kontrollin e gjithë zonës së portierit dhe njëherësh për akrobacitë e tij të çuditshme në pritjet e topave që vinin nga sulmuesit kundërshtarë. Popullariteti i tij ka qenë mjaft i madh dhe FIFA e ka vlerësuar atë si portierin më të madh të shekullit.
Në vitin 1963, Lev Jashin mori “Topin e Artë dhe është i pari dhe i vetmi portier që ka marrë ndonjëherë këtë trofe. Për shumë njerëz në Evropën Lindore, nuk do të ketë më një portier të dytë në histori si Lev Jashini i Bashkimit Sovjetik. Megjithatë, edhe ai, njësoj sikurse Pele e lojtarët e tjerë të mëdhenj të asaj kohe si Pushkash, Di Stefano e të tjerë, i përkasin një epoke tjetër. Futbolli evoluon, ka përmirësim e perfeksionim dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për portierët.
10 portierët më të mirë të shekullit XX
Nr. Portieri Shteti Periudha Votat
- Lev Jashin Bashkimi Sovjetik 1950-1970 1002
- Gordon Banks Angli 1963-1972 717
- Dino Zof Italia 1968-1983 661
- Sep Majer Gjermania Perëndimore 1966-1979 456
- Rikardo Zamora Spanja 1920-1936 443
- Hozé Luis Çilavert Paraguaji 1989-2003 373
- Piter Shmajkël Denmark 1987-2001 291
- Piter Shilton Angli 1970-1990 196
- Frantishek Planiçka Çekosllovakia 1926-1938 194
- Amadeo Karrizo Argjentina 1954-1964 192
10 portierët më të mirë të shekullit XXI
Nr. Portieri Shteti Votat
- Xhanluixhi Bufon Itali 199
- Iker Kasijas Spanjë 197
- Peter Çeh Republika Çeke 154
- Edvin van der Sar Holandë 116
- Oliver Kahn Gjermani 99
- Dida Brazil 90
- Viktor Valdez Spanjë 82
- Hulio Sezar Brazil 76
- Jens Lehman Gjermani 72
- Roberto Abondanzieri Argentina 68