Gjergj Vyshka 25.01.2016 19:50
Më 7 mars të vitit të kaluar, mes Federatës Shqiptare të Basketbollit dhe Ministrisë së Arsimit dhe Sportit u firmos marrëveshja për shkollat e basketbollit. “Ideja ka qenë shumë e mirë”, – ka pohuar Presidenti i Federatës Shqiptare e Basketbollit, Avni Ponari, në një rrëfim ekskluziv të hënën për emision “Skaner” të televizionit informativ shqiptar, “Ora News”.
“Krijuam një strukturë brilante me idenë që palestrat do të marrin dhe emrat e lojtarëve më të mirë si Ilir Trebicka, Kostandin Shkurti, Gazmend Çaçi, – ka vijuar ai. – Problemi është se këto gjëra do të ishin në të gjitha rrethet e Shqipërisë. Por ka një burokraci, sepse ende nuk po ndahet se kujt i takojnë shkollat e palestrat e tyre”. Ndërkohë, ai ka folur edhe për sfidës si president i FSHB-së.
“Nëse dikush tjetër do të vijë të shtrojë të njëjtën rrugë si unë është i mirëpritur dhe unë largohem”. Këtë ka nënvizuar Avni Ponari, që basketbollin e kërkon të jetë një produkt që duhet shitur. “Shikoni ne kemi trajnerë të kapur pas pagave që u jep shteti, – pohon ai. – Kemi pallate sporti me pak reklama, kurse në Ulqin janë 42 reklama të palëvizshme.
“Çdo klub duhet ta shesi si produktin e vet këtë lojë, – vijon Ponari, duke sjellë edhe shembullin kosovar. – Jam në Prishtinë, sepse janë me fondet e kompanisë, por ama SIGAL Prishtina i gjeti të gjitha gjërat vetë. Që të jemi kështu duhet të kemi një ligj sporti që të rimbursojë një pjesë të financave tona.”