AlbanianSport.com 02/09/2021 21:35
ASNN – Shqipëria është përballur të enjten me Poloninë në Stadiumin “Narodovi” të Varshavës, në atë që ishte takimi i 4-t për të dyja skuadrat në kuadër të grupit I të Eliminatoreve të Botërorit “Katar 2022” për zonën e Evropës. Ndeshja që është sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, ka parë të dyja skuadrat të luajnë ngjeshur në 10 minutat e para.
Por, në të 13-tën, janë vendasit që kalojnë të parët në epërsi, me një skemë të finalizuar me sukses nga Levandovski. Përtej pësimit të golit, Kombëtarja kuqezi nuk tulatet, por e zhvendos lojën menjëherë në gjysmëfushën polake, duke kërkuar dhe provuar ta godasë portën polake.
Dhe 12 minuta pas pësimit të golit, Shqipëria barazon shifrat, kur pasimi i Gjasulës kthehet zgjuarsisht në rrjetë nga Cikalleshi. Shqipëria vazhdon të luajë si barabartë dhe madje edhe të guxojë dhe në minutën e 32-të janë instinktet e Zheznjit që e shpëtojnë Poloninë nga pësimi i golit të dytë. 8 minuta më pas, është sërish Manaj që godet befas brenda zonës.
Por ai e gjen sërish të vëmendshëm gardianin e portës polake, që mban të paprekur rrjetën e tij. Ndonëse 15 minutat e fundit të pjesës së parë do të flasin për Shqipërinë, janë polakët, që përkundër rrjedhës së lojës e gjejnë golin në të 43-tën, sërish pas një goditjeje me kokë. Me Poloninë në epërsi me shifrat 2-1 do të mbyllen 45 minutat e para në Varshavë.