AlbanianSport.com 06.04.2016 19:35
ASNN – Policia zvicerane ka bastisur sot zyrat e UEFA-s në Nion, pas skandalit të “Panama Papers”. Organizmi që qeveris futbollin kontinental e ka konfirmuar një gjë të tillë.
“UEFA mund të konfirmojë se sot ka marrë një vizitë nga Policia e Zvicrës, që kishte urdhrin për të vëzhguar kontratat mes UEFA-s dhe dy kompani mediatike amerikano-latine sa u përket të drejtave televizive të Ligës së Kampioneve”, – thuhet në njoftimin e këtij organizmi, i cili sqaron më tej se i kishte dorëzuar policisë helvete dokumentet e kërkuara dhe se do të bashkëpunonte plotësisht në këto hetime.
Në skandalin financiar që ka shpërthyer së fundimi është lidhur edhe presidenti i ri i FIFA-s, Xhani Infantino. Ky i fundit ka reaguar menjëherë, duke thënë: “Jam i përqendruar dhe nuk pranoj që integriteti im të vihet në dyshim nga asnjë media, aq më tepër që UEFA ka bërë publik të gjithë detajet që lidhen me këto kontrata.”
“Siç e thashë, – vijon më tej Infantino në një komunikatë të publikuar nga FIFA, – ashtu siç kanë raportuar edhe mediat, nuk ka asnjë provë parregullsie, as nga ana e UEFA-s dhe as nga ana ime.”