AlbanianSport.com 19.10.2014 18:55
ASNN – Pas ndeshjes, për mediat ka folur Drejtori Teknik i Pogradecit, K. Gusho, i cili ka theksuar: “Ishte një takim i ekuilibruar, por Pogradeci vinte në këtë ndeshje me shumë mungesa, ku 3 mesfushorë janë prej kohësh të dëmtuar. Dhe gjatë stërvitjes u dëmtua kapiteni Çerepi dhe mbrojtësi i qendrës Hysenllari.”
“Zëvëndësimin e tyre e bëmë me lojtarë të rinj, që sigurisht janë pa përvojën e duhur, – ka vijuar ai. – Luajtëm para një ekipi të fortë si Shkumbini. Mendoj që në pjesën e dytë dominuam plotësisht, atje ku doli dhe goli i fitores.” Ndërkaq, trajneri i Shkumbinit, Ilir Gjyla, ka shprehur keqardhjen për humbjen.
“Kishim ardhur për të marrë diçka në këtë ndeshje dhe them se duhej të ishte në favorin tonë, ku me pak kujdes mund të kishim marrë jo vetëm 1 pikë, por 3, – ka deklaruar ai. – U ndëshkuam në një moment kur ishim mirë, ky është futbolli. Ne do të shikojmë gabimet tona, megjithatë mendoj se ishte një ndeshje e mirë, por që nuk duhej ta humbisnim.”