AlbanianSport.com 01.12.2014 15:25
ASNN – Pogradecarët, pas humbjes së një jave me parë me Tomorin në shtëpi, janë rikthyer tek fitorja këtë javë. Kanë humbur në “shtëpi” me beratasit, por kanë fituar në fushë të huaj me ballshiotët. Humbja e parë, edhe për trajnerin Ardian Abazi, ka ardhur sa për atë se skuadra ka pasur tri mungesa të “rënda”, por sigurisht dhe për atë se lojtarët nuk kanë qenë në maksimumin e tyre.
Fitorja e kësaj jave me Bylis ka ardhur sa për atë se janë rikthyer Bufasi e Çekiçi, aq dhe për atë se e gjithë skuadra ka qenë në një ditë krejt tjetër. Kuptohet ndryshe nga ajo e humbjes në “shtëpi” me beratasit. Fitorja e kësaj jave me Bylis, edhe për Abazin, e ka rifutur skuadrën në grupin kryesor të pretendentëve, atje ku nga vendi i parë deri tek vendi i pestë ku ndodhen liqenorët janë vetëm tre pikë diferencë.
Ndaj, edhe për këtë arsye, Abazi shpreson se në takimet e tjera skuadra do të jetë shumë herë më mirë. Edhe për atë, siç tha trajneri i pogradecarëve, sepse rikthehen nga dëmtimet lojtarët të tjerë të formacionit bazë. Janë mungesa të cilat, në një farë mase, edhe kanë pasur ndikim në lojën e skuadrës në këto javë të luajtura. Këtë javë është rikthyer Shyti, por pak më vonë pritet të fillojë stërvitjen me grupin Shkullaku.
Kështu ka bërë të ditur trajneri Abazi, ndërsa pritet edhe rikthimi i Jahajt, padyshim një nga lojtarët kryesor të skuadrës. Madje mungesa e Jahajt, në linjën e organizmin, por dhe ajo e Shytit, pa thënë edhe Shkullakut, e ka detyruar Abazin të lëvizë jo pak nga njëra javë në tjetrit. Gjithnjë për të gjetur një lojtar të organizimit të lojës. “Sa më e plotë të jetë një skuadër, aq më mirë shkojnë gjërat në fushën e lojës”, ka mbyllur Abazi, duke lënë kështu për të kuptuar se pogradecarët, me ardhjen e gjithë këtyre lojtarëve, do të jenë në një tjetër vend në renditje. Më afër kreut sigurisht, kjo edhe për kryepankinën pogradecare.