AlbanianSport.com 25.02.2015 17:05
ASNN – Pogradeci duket se është në siklet, sepse, sipas drejtuesve të klubit, është rrethuar nga pseudotifozët, të cilët në ndeshjen e humbur të shtunën ndaj Sopotit nuk kanë kursyer asgjë ndaj skuadrës liqenore. Ndaj dhe në faqen e “Facebook”-ut të KS Pogradecit, posaçërisht për këto pseudotifozë, është thënë: “Janë disa pseudotifozë që vijnë në stadium e nisin të akuzojnë e të shajnë lojtarët dhe stafin teknik të skuadrës.”
“Janë disa pseudotifozë që duan ta shohin sa më poshtë skuadrën liqenore e janë po disa pseudotifozë që ju bëhet qejfi për humbjen e ekipit liqenor, – vijon postimi në fjalë. -Atëherë pse e quajnë veten pogradecarë? Do të donim t’i themi diçka, ekipi mbështetet në çdo kohë pa marrë parasysh se nga kush drejtohet, apo se nga çfarë lojtarësh përfaqësohet.”
“Pasi në radhë të parë është stema e ekipit për të cilën bëjmë tifo dhe kjo skuadër është krenaria e qytetit. Ekipi mbështetet si në humbje, ashtu dhe në fitore. Ndaj më mirë mos ecni fare në stadium”, – kanë përfunduar drejtuesit e klubit pogradecar. Ndërkohë në skuadër është kthyer Albi Çekiçi, i cili me shumë mundësi do të jetë i gatshëm për skuadrën në ndeshjen e radhës në Berat ndaj Tomorit vendës.
Dhe sakaq skuadra ka mbetur dhe pa president, gjë që ka ndodhur pas dorëheqjes së kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi, i cili ka deklaruar: “Do të vazhdoj të jem tifoz i Pogradecit, si dhe do ta ndjek ecurinë e skuadrës me shumë interes”.