AlbanianSport.com 06.11.2014 17:10
ASNN – Kukësi e ka kaluar pa probleme ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, teksa ka fituar 2-0 në fushë të huaj, në “Gjorgji Kyçyku” të Pogradecit ndaj skuadrës vendase. Dhe në një farë mënyrë, skuadra e trajnerit Artim Shaqiri është në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë.
Kukësianët e kanë nisur vrullshëm ndeshjen e tyre, ndërsa dialogu i verilindorëve ka qenë i gjatë me mbrojtjen e sajuar të liqenorëve. Sulme të njëpasnjëshme të Kukësit, por dhe raste për shënim me Allmuçën në minutën e 14-të, Gvozdenoviçin në të 18-n, apo dhe Lushtakun më pas.
Veçse miqve u ka munguar finalizimi, teksa gjithçka ka përfunduar mbi traun e portës së mbrojtur nga Adema. Megjithatë në minutën e 32-të, Periç ka gjetur rrugën e rrjetës dhe 1-0 për miqtë. Në fundin e pjesës së parë me Binishin e Topllarin, Pogradeci është munduar të godasë, por gjithçka ka qenë e brishtë.
Në pjesën e dytë, liqenorët e kanë nisur me zëvendësime. Hyrja e Turshinkës, Zeqollarit dhe Mollës i ka dhënë një tjetër frymëmarrje Kukësit. Ka ekuilibër në lojë, por në fund Shameti godet përsëri dhe Kukësi fiton 2-0 ndaj Pogradecit, që ka luajtur me formacionin e dytë.
Pogradeci – Kukësi 0-2
Shënues: Periç 32’, Shameti 80’
Pogradeci: Adema, Blaceri (Zeqollari 55’), Hamolli, Hidri (Molla 59’), Binishi (Turshinka 46’), Rapo, Berberi, Laraku, Topllari, Kapo, Liçkollari. Trajner: A. Abazi
Kukësi: Bejte, Smajlaj (Dushku 67’), Brahja, Shameti, Gvozdenoviç (Peqini 46’), Hasani, Allmuça, Dosti, Lushtaku (Hoxha 59’), Jonuzi, Periç. Trajner: A. Shaqiri
Gjyqtarë: F. Xhemalaj, A. Mahmutaj, E. Bodeci (Elbasan)
Kartonë të verdhë: Laraku / Lushtaku, Hasani