AlbanianSport.com 19.02.2015 13:10
ASNN – Ndryshe nga çfarë kishte ndodhur gjatë tregut të lëvizjeve të futbollistëve në dimër, atje ku nga Pogradeci u larguan Zguro drejt Butrintit e Kllogjëri drejt Sopotit, Kristi Laçka ka vendosur që të kthehet tek skuadra e vendlindjes.
Ai prej më shumë se dy javësh ishte në provë tek Kamza, madje ishte parashikuar që të ishte dhe pjesë e skuadrës që në ndeshjen e parë me Besën, por në fund ka vendosur që të kthehet përsëri tek Pogradeci.
Dhe që nga ndeshja me Sopotin ai do të jetë në dispozicion të trajnerit Ardian Abazaj. Ndërkohë liqenorët vazhdojnë deklaratat e tyre duke bërë të ditur se jo vetëm që nuk do të tolerojnë ndaj Sopotit, por mbi të gjitha bëjnë të ditur se skuadra librazhdase duhet t’i harrojë pikët në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”.
Dhe një deklaratë e tillë vjen edhe nga Armir Pura, i cili ka pohuar: “Sopoti duhet t’i harrojë pikët në fushën tonë. Sepse në stadiumin tonë nuk tolerojmë asnjë skuadër dhe këtë gjë do ta bëjmë edhe me librazhdasit në kushtet kur do të kërkojmë të marrim fitoren”.