AlbanianSport.com 05.03.2015 12:55
ASNN – Pogradeci është dorëzuar në fund me Bylisin, ndonëse e kishte vlerësuarmaksimalisht këtë ndeshje me ballshiotët si një mundësi për të pasur kthesë në rezultate. Madje goli i fitores së ballshiotëve është shënuar në limitet e shtesës së ndeshjes. Janë minutat e para në të cilat liqenorët ushtrojnë presion në fushën e miqve, teksa kombinojnë bukur me njëri-tjetrin, ndërsa janë në tentativë të vazhdueshme për të shënuar gol.
Në minutën e 8-të, vjen kombinimi i bukur mes Çekiçit e Topllarit në zonën ballshiote, por asnjëri nuk është i mundur të finalizojë. Vendësit vazhdojnë presionin në kërkim të golit, megjithatë kronika e lojës deri në minutën e 20-të është e varfër. Sulmuesi vendës Pengu vazhdon të këmbëngulë në zonën ballshiote, por gjithmonë mbetet i rrethuar nga mbrojtja e miqve. Është minuta e 23-të dhe Pepa në kundërsulmin e vet neutralizohet nga Miraka.
E pas minutës së 30-të sulmet e të dy ekipeve neutralizohen nga mbrojtjet, të cilat janë në gatishmëri për të shmangur çdo rrezik. Shyti vihet gjithmonë në lëvizje duke ndihmuar mjaft shokët e vet të sulmit. Ballshiotët i kanë hedhur sytë tek Pepa, i cili në minutën e fundit të pjesës së parë rrezikon me gjuajtjen e tij. Fillimi i pjesës së dytë është i shpejtë për vendësit, të cilët rrezikojnë me anën e Alillarit. Dy minuta më vonë Çekiçi në zonë gabon në gjuajtje.
Edhe më vonë përsëri po ky lojtar rrezikon. Janë momente kur vendësit mobilizohen duke përmirësuar mjaft lojën e tyre në çdo aspekt, por mungojnë gjuajtjet në portë. Miqtë presin që të gabojnë vendësit dhe vihen në ruajtje të barazimit. Minuta e 67-të, Alillari merr një top nga Shyti, kroson në zonë dhe Laçka kësaj radhe mposht portierin Kaloshi. Edhe më tej liqenorët tentojnë për golin e dytë. Bufasi nga largësia gjuan fort dhe grushton portieri ballshiot.
Miqtë kërkojnë që të barazojnë duke krijuar dhe raste. Dhe në njërin prej tyre Pepa arrin që të barazojë duke e gjetur mbrojtjen vendëse të pa organizuar. Kur pritej që ndeshja të përfundonte në barazim, pikërisht në sekondat e fundit, Bylisi shënon dhe golin e fitores. Një humbje që vështirëson Pogradecin në luftën për mbijetesë.
Pogradeci – Bylis 1-2
Shënues: Laçka 67’ / Pepa 85’, Muça 90’+3
Pogradeci: Miraka, Çerepi, Bufasi, Hysenllari, Çela (Alillari 46’), Kuqo, Rapo, Shyti, Topllari (Berberi 88’), Pengu, Çekici (Laçka 60’). Trajner: G. Laçka.
Bylis: Kaloshi, Xhafa (Gjombrati 74’), Kuçi, Shosha, Basriu, Shehaj (Liçaj 51’), Sako (Gavazaj 64’), Muça, Hoxha, Pepa, Dhrami. Trajner: R. Nenaj.
Gjyqtarë: B. Breshanaj, G. Qirici, E. Potomi (Tiranë).
Kartonë të verdhë: Topllari, Bufasi, Alillari, Laçka / Sako, Muça