Nga Gjergj Vyshka 08.02.2016 14:35
Vlora dje ishte në këmbë për Alfred Ziajin, ashtu si në ditën e përcjelljes tre vjet më parë për në banesën e fundit të ish-futbollistit kuqezi. Por jo vetëm kaq, por ishin në këmbë dhe miqtë e tij nga i gjithë vendi e nga ana tjetër e kufirit. U shpërndanë medalje për të gjithë ata që kanë luajtur me të, të cilët kush më pak e kush më shumë kanë pasur se çfarë të thonë për Alfred Ziajin. E kjo që nga Kreshnik Çipi, Rrapo Taho, e shoqja e Bujar Brahos, Bejkush Birçe, Agim Canaj, Alfred Ferko, Roland Iljadhi, Vasil Ruci, Edmond Liçaj e shumë të tjerë të kohës së tij.
“Sepse Fredi ishte një futbollist i ashpër, i fortë dhe agresiv në fushë, por mbi të gjitha një shok i mirë dhe me zemër shumë të madhe”, – kanë thënë të gjithë të pranishmit. Por ata që kanë munguar dje në përkujtimin e Alfred Ziajit kanë qenë drejtuesit e sotëm të Flamurtarit. Edhe pse ishin të ftuar drejtuesit e Flamurtarit duket sikur nuk kanë denjuar e nuk kanë pasur kohë të ishin në atë në atë përkujtimore për një ish-lojtarin e tyre. E kjo jo sikur Fred Ziaji të mos kishte luajtur 12 vjet me Flamurtarin, jo sikur të mos ishte fitues dy herë i Kupës së Shqipërisë më 1985 dhe 1988, apo Kampion i Shqipërisë më 1991.
Jo sikur të mos ishte ai që ka luajtur mbi 14 ndeshje ndërkombëtare, 300 ndeshje kombëtare e që ka kontribuar në futbollin vlonjat me shpirtin dhe me golat e tij. Por sikur të ishte një hiç, ndërsa Flamurtari i sotëm nuk denjoi ta nderonte Fred Ziajin dhe brezin e tij të lavdishëm që realisht krenohet jo vetëm Vlora, por dhe e gjithë Shqipëria. Jo më kot për Fred Ziajin kanë ardhur nga anembanë vendit. Flamurtari i sotëm duhet të ishte aty, sepse Fred Ziajin më parë e njohin si futbollist kuqezi e vlonjat, më pas si politikan e themelues i Partisë Demokratike në Vlorë më 1991, apo dhe si themelues i minifutbollit dhe futbollit të sallës në Shqipëri.
Pa thënë si anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit. Në një eveniment ku kujtohet një figurë që nuk jeton më nuk ka nevojë as për xhelozi e as për ndasi, por ardhje e respekt ndaj një figure që ka vënë një gur në historinë e klubi legjendë në Shqipëri, i cili e ka emrin Flamurtari. Të gjithë bashkë kanë luajtur për një stemë që quhet Flamurtar. Ndaj Flamurtari i sotëm me drejtuesit e saj duhet të ishte aty, aq më tepër që bashkë me Bashkinë e Vlorës, apo dhe Shoqatën e minifutbollit shqiptar janë organizatorët e evenimentit “Tre vjet pa Alfred Ziajin…”.
Respektin e bënë për Fred Ziajin edhe pa qenë Flamurtari i sotëm me drejtuesit e saj, që duhet të ishte. Ndryshe mund të mendohet që kanë nisur ta fshijnë historinë e futbollit vlonjat e ta nisin atje ku kanë marrë ta administrojnë Flamurtarin e Vlorës.