Gjergj Vyshka 20.01.2014 10:10
Mallakastra tashmë është bërë me dy skuadra futbolli. Pas Bylisit, e cila ka një histori pozitive në Kategorinë Superiore, apo dhe në Kupat e Evropës, me pjesëmarrjet e saj në Kupën UEFA dhe Intertoto, tashmë dhe Fratari ka një skuadër futbolli. Ballshiotët edhe nëpërmjet faqes së tyre në “Facebook” e kanë përshëndetur këtë nisëm të komunës së Fratarit për të bërë një ekip futbolli, ndërsa presin që ajo shpejt të regjistrohet në Kategorinë e Tretë, ndonëse janë zhvilluar 7 javë deri më tani.
Nuk duhet harruar që në zonën e Fierit, apo dhe të Ballshit, skuadra si Çlirimi, Cakrani, Frakulla kanë luajtur jo vetëm në Kategorinë e Tretë, por dhe në të Dytën. E i kanë shërbyer zgjerimit të futbollit të zonës, sikurse ka ndodhur dhe në Lushnjë kur skuadra si Divjaka, apo Plugu shtonin hartën e ekipeve të “topkëmbës” shqiptare. Gjithsesi tashmë Fratari e ka skuadrën e futbollit dhe për shkak të tërheqjes së Gramshit B, pavarësisht se janë luajtur 7 javë, mund të jetë një mundësi për të pasur një numër prej 12 skuadrash në Grupin B të Kategorisë së Tretë.
Sepse edhe kur kishin kaluar dy javë nga starti i kampionatit, po në Kategorinë e Tretë hyri dhe Pajova, e cila sot ka dy ndeshje të prapambetura. Kështu që Fratari, që shton numrin e skuadrave në zonën e Mallakastrës, duhet të jetë në kampionatin e Kategorisë së Tretë.