AlbanianSport.com 25/10/2018 20:20
ASNN – Kur dukej se gjithçka shkonte mirë e bukur për dy klubet e kryeqytetit, sidomos për Partizanin e vendit të parë në Kategorinë Superiore, vijnë dhe lajmet e çuditshme me pezullime e spastrime radhësh. Kështu, Partizani ka pezulluar Lorenc Trashin, një prej lojtarëve kryesorë të skuadrës.
Shkak është bërë largimi i mesfushorit pas ndeshjes me Luftëtarin, ndërsa të mërkurën nuk ka qenë fare në stërvitje. Ka shumë gjasa që mesfushori të dënohet nga klubi e të mungojë në duelin e rëndësishëm kundër Skënderbeut. Si masë e parë dënimi ai është dërguar të stërvitet me Partizanin B.
Shkak i gjithë kësaj situate duket të jetë ndryshimi i pozicionit nga mesfushor në mbrojtës i majtë, gjë që nuk i ka pëlqyer aspak Trashit dhe kjo ka shërbyer si pakënaqësi e cila po merr karakter konfliktualiteti me klubin e sidomos me stafin teknik të kryesuar nga trajneri Skënder Gega.
Ndërkohë, Tirana ka pezulluar afrikanin Majkëll Ngo. Shkak është bërë një ndërhyrje e ashpër e tij ndaj një lojtari tjetër bardheblu. Trajneri Ardian Mema ka debatuar me futbollistin, pasi i ka kërkuar shjegime dhe sjellje më të mirë. Në mungesë të seriozitetit në bisedë, lojtari është pezulluar pa afat.
Referuar situatës dhe zhvillimeve plot bujë në klub, nuk përjashtohet mundësia që Majkëll Ngoja të largohet përfundimisht nga Tirana.