AlbanianSport.com 14/10/2018 10:40
ASNN – Kur mbeten pak orë nga zhvillimi i ndeshjes midis Izraelit dhe Shqipërisë, në kampin izraelit ka plasur një sherr i madh. Mediat izraelite kanë zbuluar se dy lojtarë të kombëtares së tyre janë përplasur fizikisht, pasi njëri prej tyre pretendonte se shoku nuk po i pasonte topin. Dhe zënka ka marrë përmasa shqetësuese, pasi njëri prej lojtarëve është me origjinë arabe.
Bëhet fjalë për futbollistët Eliran Atar, me kombësi hebreje, si dhe shoku i skuadrës Shia Shaba, lojtar me origjinë arabe. Konflikti ka marrë përmasa politike dhe racore, në një vend dhe rajon ku dihet përplasja e Izraelit me vendet arabe e specifikisht Palestinën, edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për një lojtar izraelit të komunitetit arab. Izraeliti ka thënë “ky arab i qelbur nuk më pasonte!”.
Federata izraelite ka nxjerrë deklaratën e Atar që mohon ta ketë sharë shokun e tij, por video përmban sekuenca të forta racizmi dhe mund të shtyjë përçarjen në skuadër. Trajneri austriak i Izraelit, Hercog, ka reaguar menjëherë, duke i marrë lojtarët në një mbledhje dhe duke kërkuar sqarime. Për momentin nuk ka shumë të dhëna për çfarë është biseduar.
Por situata në kampin e rivalëve të Shqipërisë në prag të ndeshjes së 14 tetorit është e acaruar dhe nga kjo situatë mund të përfitojë me patjetër përfaqësuesja e Shqipërisë. Megjithatë, mbetet për t’u parë sonte në mbrëmje.