AlbanianSport.com 28/02/2019 15:40
ASNN – Një hetim disamujor i autoriteteve austriake ka sjellë arrestimin e 9 personave, midis të cilëve 5 sportistë në kampionatin Botëror të skive nordike, veprimtari që po zhvillohet në Sifeld të Austrisë. Forca të shumta policie dhe ekspertë mbërritën në vendin e ngjarjes, duke kapur në flagrancë sportistët që bënin transfuzion gjaku dhe ishin në varësinë e medikamenteve të palejuara, si përdorues të dopingut.
Të arrestuarit janë pjesë e tre ekipeve kombëtare, përfshi dhe Austrinë, por dhe dy vende të tjera, Estoninë dhe Kazakistanin. Njëri prej sportistëve u kap direkt duke bërë ndërhyrje dhe kjo e shton dhe më tej skandalin, i cili ka marrë përmasa të frikshme. Transfuzioni i gjakut i këtij sportisti të kapur në flagrancë bëhej vetëm pak kohë para garës që do të zhvillonte po atë ditë.
Policia austriake njoftoi se në një qytet tjetër, Erfurt, kishte ndalur disa persona, midis të cilëve dhe një mjek, i cili cilësohet si përgjegjësi kryesor për skandalin e dopingut. Të arrestuarit do të vihen përballë drejtësisë, ku akuzohne për mashtrim sportive dhe përdorim substancash të ndaluara. Tashmë, kampionati botëror i skive nordike është njollosur tmerrësisht, nisur nga numri i madh i personave të përfshirë, si dhe 3 vendeve pjesëmarrëse.