Nga Gjergj Vyshka 23.08.2016 09:00
Mirupafshim Rio, takimi i radhës në Tokio 2020. Në “Marakana” të dielën në mbrëmje, ndërsa në Tiranë kanë qenë orët e para të mëngjesit të së hënës, është shuar flaka e Olimpit, që ka shënuar kështu dhe mbylljen zyrtare të Lojërave të 31-ta Olimpike Verore. Tani i takon Japonisë, që në ceremoninë e mbylljes së Olimpiadës braziliane është prezantuar me kryeministren Shinzo Abe, që pas katër vjetësh të bëjë një manifestim olimpik më madhështor.
Një olimpiadë që rikthehet në Azi pas 12 vjetësh e që i ka dhënë shenjat se do të jetë më madhështore se ajo braziliane që në ceremoninë e mbylljes në Rio. Një ceremoni e cila është zhvilluar nën reshjet e shiut, që duket sikur e kanë bërë kryeqytetin brazilian të mallëngjehet për këtë ndarje, sepse për më shumë se dy javë ka qenë qendra e botës me të gjitha disiplinat sportive.
Rio ka gdhirë dje i qetë duke hyrë në jetën e përditshme, ndërsa të gjithë pjesëmarrësit në Lojërat e 31-ta Verore tashmë kanë nisur të shpërndahen nëpër vendet e tyre. Në ceremoninë e mbylljes, që ka qenë krejtësisht e “lagur” nga një furtunë e madhe shoqëruar me reshje të forta shiu, kanë munguar presidenti brazilian Temer, kjo për motive personale, dhe “mbreti i futbollit”, Pele, për shkak të kushteve të tij shëndetësore.
Atletët në festë me Daniele Lupon, që ishte flamurmbajtësi i Italisë. Një nder dhe krenari e madhe ka shoqëruar shumë sportistë që nga Bajls e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hoszu e Hungarisë dhe Semenia e Afrikës së Jugut. Pastaj një homaz nga Brazili në këtë ceremoni mbylljeje të Lojërave Olimpike ka ardhur nga karnevalet, ritmet e ngjyrave, gëzimi dhe vallëzimi.