AlbanianSport.com 31.07.2015 15:20
ASNN – “Ustai mbetet usta”. Këtë ka dëshmuar edhe një herë ish-mesfushori i Juventusit dhe Italisë, Andrea Pirlo, i cili tregoi edhe një herë sesa vlen, madje që në debutimin e tij me skuadrën amerikane të futbollit, Nju Jork Siti. Ai u fut si zëvendësues në Stadiumin “Jenkiis”, në fitoren 5-2 ndaj Orlando Sitit, duke i përcjellë skuadrës qetësinë e tij, duke e marrë lojën e saj nën kontroll dhe duke bërë që me shpirt të paepur, ekipi njujorkez të marrë 3 pikët e plota.
Pavarisht një numër pasimesh të përkryera gjatë gjithë debutimit, momenti kulmor i ndeshjesh së Pirlos erdhi në minutat shtesë të saj. Duke qenë se pranë topit në një goditje të lirë po qëndronte gati për ta ekzekutuar ish-shoku i tij i skuadrës te Milani, Rikardo Kaka, italiani shihet nga kamerat prapa porte, por edhe nga fotot e shkrepura në atë çast, duke ia bërë me gisht portierit të tij, Xhosh Sonders, dhe duke i sinjalizuar të hidhet në krahun e tij të majtë kur të goditet topit.
Në mënyrë të pabesueshme, një video amatore tregon sesi Pirlo bën me shenjë në drjetimin e saktë të topit dhe kishte plotësisht të drejtë, sepse Kaka e goditi pikërisht atje topin, portieri, duke ndjekur këshillën e italianit, hidhet në një planzhon në të majtë, duke e devijuar topin në shtyllë dhe duke shmangur një gol të sigurt. Në fakt, kjo e ka një shpjegim.
Duke marrë parasysh se italiani dhe braziliani kanë qenë shokë skuadre për 6 vjet, nuk është një surprizë fakti se Pirlo mund ta merrte me mend se ku do të godiste Kakaja, por aftësia e tij për të parashikuar objektivin e një goditje të lirë në distancë ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme. 36-vjeçari pritet të debutojë që nga fillimi javën e ardhshme, kur Nju Jork Siti të presë në shtëpi Montreal Impaktin, por, duke parë këtë episod, shumëkush mund të pyesë me të drejtë se pse u lejua Pirlo të largohej nga Evropa.