Gjergj Vyshka 21.09.2015 07:05
Pingpongu shqiptar, në Sallën Sportive “Farie Hoti” në Tiranë, ka shpallur dje në mesditë kampionët individualë për vitin 2015. Në mënyrë shumë surprizë, por dhe sepse i ka fituar të gjitha ndeshjet e saj 3-0, Liridona Rexhaj është kampionia e Shqipërisë.
Vetëm 16 vjeç, ndërsa është kampione e paratërejave dhe të rejave, dhe trajneri i Teutës, Musa Tërniqi, deklaron me bindje të thellë që do të jetë ajo e padiskutueshme për disa vite në pingpongun shqiptar. “Sepse jo sot, por dhe më tej nuk ka kundërshtar t’i marrë një set kësaj vaze”, – thotë Tërniqi.
E jo më kot, Rexhaj ia ka dedikuar suksesin e saj trajnerit Tërniqi dhe punës së përditshme që bën në stërvitje. “S’më mbetet gjë tjetër veçse të them se nuk ka qenë një garë e lehtë përballë kundërshtarëve që kanë eksperiencë në marrjen e titujve”, – ka thënë pingpongistja.
“Ka qenë një garë e bukur dhe unë shpresoj që edhe në vitet e ardhshme të jem kampione”, – ka përfunduar Rexhaj, ndërsa pas saj janë renditur Anila Selimi dhe Adelajde Isaku, e cila ishte kampione në fuqi për vitin 2014.