Gjergj Vyshka 06.01.2017 18:35
Sipas Sekretarit të Përgjithshëm, Tonin Binoshi, Federata Shqiptare e Pingpongut u është bashkuar një pjese të mirë të federatave sportive, të cilat zgjedhjet e tyre të reja i kanë bërë jashtë Tiranës. Basketbolli në mars në Korçë, atletika në shtator në Elbasan, peshëngritja në nëntor në Vlorë, alpinizmi në dhjetor në Pukë.
E tashmë është pingpongu që më 29 janar, gjithnjë sipas informacionit të Binoshit, do t’i bëjë zgjedhjet e reja në Vlorë. Të vetmet që kanë pranuar Tiranën për të bërë zgjedhjet kanë qenë noti, shahu dhe taekuondoja (World), ndërsa me 11 janar do të jetë dhe Federata Shqiptare e Skive në ambientet e Universitetit të Sporteve.
Deri më 10 janar është afati i fundit i ardhjes së kandidaturave për president dhe anëtarë të Komitetit Drejtues, si dhe të delegatëve që do të jenë në asamblenë zgjedhore të pingpongut më 29 janar 21. E pas kësaj date, sipas konfirmimit të Binoshit, do të zbardhen kandidaturat për president dhe anëtarë kryesie për mediat, ndërsa më 29 janar në Vlorë pingpongu zgjedh drejtuesit e rinj.