Gjergj Vyshka 16.08.2016 08:50
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Pingpongut, Tonin Binoshi, ka lajmëruar se kombëtarja e Nën-21-vjeçarëve të Shqipërisë, nga data 18, deri më 21 gusht 2016, do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik, që do të zhvillohet në Nikshiq të Malit të Zi.
Trajnerë të kombëtares janë Musa Tërniqi dhe Greta Kovaçi, ndërsa pjesë e delegacionit do të jetë dhe gjyqtari ndërkombëtar Klodian Gjata. Për meshkuj Shqipërinë do ta përfaqësojnë Sadush Tosuni, Jon Tufa dhe Joni Gabeshi, kurse për femra Liridona Rexhaj, Alba Xhufi dhe Kamela Katillari.
“Synohen tre vendet e para. Mos harroni që kemi dalë në vendin e tretë me Nën-15-vjeçarët dhe një përfaqësim të mirë kemi pasur dhe me Nën-18-vjeçarët. Mendoj që kemi cilësi”, – thotë Binoshi, që do të jetë zyrtari i delegacionit shqiptar në Ballkaniadën e Nën-21-vjeçarëve në pingpong në Malin e Zi.